Përpjekjet për ribashkim mes Amerikës dhe Evropës

Riparimi i përçarjes transatlantike do të jetë i ndërlikuar. Donald Trump ka shkaktuar shumë ndarje.

Dy vjet më parë, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një konferencë vjetore për gjeopolitikën, zëvendëspresidenti Mike Pence mbajti një fjalim thumbues para audiencës kryesisht europiane, plot qortime dhe retorikë të stilit America First. Në të njëjtën skenë, disa orë më vonë, Joe Biden ofroi një të ardhme më të ndritur. “Edhe kjo do të kalojë. Ne do të kthehemi”, tha ai.

Zgjedhjet në nëntor dukej se përmbushën profecinë e tij. Presidenti i zgjedhur Biden është zotuar për të ndrequr aleancat e dëmtuara nga Donald Trump. Ai e ka mbushur administratën e tij me fytyra të njohura nga vitet e Obamës. Ndërsa përgatitet për të marrë detyrën më 20 janar, europianët po guxojnë sërish të ëndërrojnë.

Reklama e sponzorizuar

Ata gjithashtu po hartojnë lista detyrash. Një muaj pas fitimit të zotit Biden, Komisioni Europian lëshoi një seri të detajuar propozimesh për veprim të përbashkët transatlantik. Një burim i afërt me ekipin e Biden thotë se ai ka “një përputhje të konsiderueshme me të menduarit tonë”. Kjo është shenjë e mirë për atë që pritet të jetë një ortakëri e shkëlqyer.

Amerika dhe Bashkimi Europian zënë mbi 40% të PBB-së në botë; sëbashku me Britaninë, përbëjnë gati gjysmën e shpenzimeve të mbrojtjes; dhe një ndikim të madh rregullator dhe teknologjik. Por sfidat globale po rriten dhe Amerika përballet me kërkesa të reja në vend dhe në pjesë të tjera të botës. Optimistët thonë se kjo forcon argumentin për transatlantizëm. Por për të qëndruar e rëndësishme, aleanca ka nevojë për rinovim.

Nën administratën e Biden, marrëdhëniet transatlantike do të ndahen në tre grupe. Së pari janë fitoret relativisht të lehta. Fillojmë me faktin e thjeshtë se zoti Biden nuk është zoti Trump. Presidenti në largim e karakterizoi BE-në si një “armik” të krijuar për të varfëruar Amerikën dhe e shpërfilli NATO-n si të vjetëruar. Zoti Biden do të ribashkohet me marrëveshjen e klimës në Paris dhe do të revokojë tërheqjen e zotit Trump nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një tërheqje e trupave të stacionuara në Gjermani, njoftuar vitin e kaluar, nuk ka gjasa të vazhdojë dhe zoti Biden mund të heqë tarifat e zotit Trump për çelikun dhe aluminin e BE-së. Amerika mund të jetë tashmë më e gatshme për të ndihmuar në reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe për të zgjidhur një mosmarrëveshje afatgjatë mbi subvencionet e hapësirës ajrore.

 

Ambicia
Idetë më ambicioze përbëjnë grupin e dytë. Zoti Biden ka premtuar një “samit të demokracive” për t’u përballur me autokracitë. Në vend të një eventi madhështor, kjo mund t’i ngjasojë më tepër një grupi parimesh për të orientuar politikën në një sërë çështjesh, duke mbajtur një takim përmbyllës në fund të këtij viti.

 

Siguria

Në lidhje me sigurinë, europianët mund të presin një rikonfirmim të angazhimit të Amerikës ndaj nenit 5, garancinë e mbrojtjes reciproke të NATO-s dhe më shumë parashikueshmëri në politikën e saj ndaj Rusisë. Zoti Biden ka thënë se ai do të kërkojë të zgjasë New Start, një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore me Rusinë që skadon më 5 shkurt.

BE-ja me Britaninë, do të dëshironin gjithashtu që Amerika të bashkohej përsëri me marrëveshjen që ata ndihmuan të negociojnë mbi aktivitetin bërthamor të Iranit. Zoti Biden ka treguar një gatishmëri për ta bërë këtë, nëse Irani i përmbahet kushteve të tij. Të gjitha palët janë të angazhuara në një partneritet kompleks diplomatik për të rritur fuqinë përpara se të fillojnë negociatat.

Idetë më ambicioze përbëjnë grupin e dytë. Zoti Biden ka premtuar një “samit të demokracive” për t’u përballur me autokracitë. Në vend të një eventi madhështor, kjo mund t’i ngjasojë më tepër një grupi parimesh për të orientuar politikën në një sërë çështjesh, duke mbajtur një takim përmbyllës në fund të këtij viti. Por qeveritë e korruptuara europiane, si brenda dhe jashtë BE-së, mund të presin një qëndrim më të ashpër. Mbi klimën, dy palët mund të përpiqen të kapërcejnë pengesat e zakonshme. Koordinimi mbi çmimet e karbonit do të përballet me pengesa të larta në Kongres. Planet europiane për një taksë mbi importet jo-miqësore ndaj klimës rrezikojnë të nxisin ankesat amerikane të proteksionizmit.

Shpresat e gjermanëve

Disa politikanë gjermanë shpresojnë të ringjallin Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, një negociatë e epokës Obama. Megjithatë, qëndrimet e publikut për marrëveshjet e mëdha tregtare janë acaruar në të dyja anët e Atlantikut. Mund të ketë më shumë dobi për të punuar mbi vendosjen e standardeve dhe rregullimet e taksave në forume të tjera.

“Ideja e Biden nuk është shumë larg idesë franceze të globalizimit të menaxhuar”, thotë Tom Wright nga Instituti Brookings në Uashington. Një këshill i përbashkët në tregti dhe teknologji, i propozuar nga BE, mund të ndihmojë në nxitjen e standardeve të përbashkëta në teknologjitë e reja, si inteligjenca artificiale. Demokracitë e tjera mund të ftohen për t’u bashkuar.

Në sferën dixhitale, megjithëse mund të ndizen tensionet e vjetra mbi privatësinë e të dhënave dhe konkurrencën, Tyson Barker nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme (DGAP) vëren një konvergjencë ndërsa rregullatorët amerikanë bëhen më të gatshëm për sfidat e Big Tech.

Një tripwire është një taksë ndaj gjigandëve dixhitalë e miratuar në disa vende europiane; tarifa hakmarrëse kërcënohen kundër Francës. Një raport i fundit nga DGAP dhe Harvard Kennedy School kërkon një moratorium 12-mujor mbi veprime të tilla ndërsa partnerët kërkojnë një qasje të përbashkët brenda OECD-së, një klub vendesh të pasura.

Grupi i tretë

Po grupi i tretë? Të dy palët duhet të zbusin tensionet. Shqetësimet e vjetra amerikane se disa europianë, veçanërisht Gjermania, janë delikuente në shpenzimet ushtarake, nuk do të përfundojnë me largimin e zotit Trump, por as nuk do të përdoren për të nxitur europianët të pajtohen.

Përpjekjet europiane për të ndarë barrën e sigurisë, duke përfshirë lëvizjen ushtarake, mbrojtjen kibernetike dhe anti-korrupsionin, duhet të hasin tolerancë në Uashington, veçanërisht nëse ato mund të zvogëlojnë tensionet në zona të BE-së. Por përpjekjet e frymëzuara nga francezët për të krijuar “autonomi strategjike” në mbrojtje, do të hasin rezistencë nëse shihen si zhvlerësuese për NATO-n.

Kërcënimi i sanksioneve dytësore nga Amerika ndaj subjekteve të lidhura me projekte të papëlqyeshme nga Kongresi, u bë një irritues i madh transatlantik në vitet e mëvonshme të Trump. Nord Stream 2, një tubacion gazi rus nënujor, shpesh ishte në shënjestër: Kongresi kohët e fundit i dha zotit Trump fuqinë për të vendosur sanksione ndaj firmave të lidhura me të. Nëse ai e ushtron atë para se të largohet nga zyra, zoti Biden do të përballet me një zgjedhje të hershme të vështirë.

Gara ekzistuese me Kinën, gjithnjë e më e pranishme në politikën e jashtme amerikane, mund të përbëjë provën më të madhe transatlantike. BE-ja e sheh Kinën pjesërisht si një “rival sistemik”, gjuhë që duhet të krijojë hapësirë për veprim të përbashkët. Zoti Biden thotë se një “front i bashkuar” do t’u jepte demokracive “parësi thelbësore” mbi Kinën. Megjithatë në 30 dhjetor, BE-ja ra dakord me Xi Jinping për një marrëveshje investimi që tërhoqi kritika në vend dhe në Amerikë. Disa europianë u mburrën se kjo ishte “autonomi strategjike” në veprim.

Sidoqoftë, ekipi i zotit Biden nuk pret që marrëveshja të parandalojë bashkëpunimin më të thellë transatlantik mbi Kinën, përfshirë edhe në OBT. Por një qasje më e fokusuar amerikane mund t’i lërë europianët me zgjedhje të vështira. Ata do t’i rezistojnë lutjeve amerikane për t’u shkëputur plotësisht nga Kina – në të vërtetë, shumë firma po forcojnë investimet e tyre kineze – ose për të aplikuar një provë gjeostrategjike në të gjitha marrëdhëniet ekonomike.

Vetë europianët janë të ndarë në lidhje me Kinën, vëren Peter Beyer, koordinatori transatlantik i qeverisë gjermane. Por ata do të pranojnë diskutime mbi mbrojtjen nga goditjet në zinxhirët e furnizimit, ndërtimin e standardeve të përbashkëta dhe harmonizimin e qasjeve për investimet e huaja dhe në disa raste, për kontrollet e eksportit. Largimi këtë vit i Angela Merkel, një mbështetëse e angazhimit me Kinën, mund të zhvendosë ekuilibrin politik në Europë.

Sipas Metin Hakverdi, një deputet gjerman Social Demokrat, pyetja më e madhe do të jetë: ishte Donald Trump përjashtimi, apo Joe Biden do të jetë përjashtimi? Frika se zoti Trump, ose dikush i ngjashëm me të, mund të rikthehet në katër vjet, mund të frymëzojë mbrojtje strategjike nga ana e Europës, nga rritja e aftësive sovrane në mbrojtje dhe teknologji, në përpjekjen për të kërkuar aleatë diku tjetër. Por gjithashtu nënkupton se duhet bërë gjithçka për të ndihmuar zotin Biden që të përmbushë premtimin e tij për votuesit: se Amerika është më e fortë kur punon me aleatët e saj. /Monitor.al/