Gurëthyesit, ndotësit më të mëdhenj në Kosovë

Gurthyesit në Kosovë radhiten ndër ndotësit më të mëdhenj të natyrës në vend.

E Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e cila edhe është përgjegjëse për lëshimin e lejeve mjedisore për operatorët ekonomik që merren me nxjerrjen e materialeve ndërtimore, sipas Auditorit të Përgjithshëm nuk ka bërë mjaftueshëm për të siguruar mbrojtje të ambientit gjatë këtij procesi.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, MEA-ja ka bërë lëshimin e lejeve mjedisore pa marrë në konsideratë as periudhën e vlefshmërisë (afatit kohor) të pëlqimeve mjedisore dhe po ashtu nuk ka koordinim brenda MEA-së për monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit nga shfrytëzuesit e mineraleve.

Reklama e sponzorizuar

Ata thonë se sistemi për lëshimin e lejeve mjedisore është përcjellur me disa mangësi. Nga 12 lejet mjedisore të analizuara nga ZKA-ja, disa nga këto leje nuk janë nxjerrë me kohë nga OE-të dhe MEA-ja nuk ka arritur t’i mbajë përgjegjës OE-të që pas pajisjes me pëlqime mjedisore dhe licenca apo leje nga KPMM-ja të mos fillojnë aktivitetin minerar pa leje mjedisore.

Aktivitetet minerare nga disa OE kanë filluar me marrjen e licencës apo lejes në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), por në anën tjetër fillimi i aktivitetit minerar pa leje mjedisore është i jashtëligjshëm pasi OE-të nuk duhet të fillojnë punën dhe të aktivizojnë pajisjet pa u pajisur me këtë leje, përcjell Buletini Ekonomik.

ZKA-ja në raportin e saj ““Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, ka vërejtur se operatorët ekonomik të cilët shfrytëzojnë mineralet ndërtimore e industriale (vetëm me pëlqime mjedisore po ashtu edhe ata të pajisur edhe me leje mjedisore) nuk raportojnë fare mbi monitorimin e ndotjes së mjedisit dhe nuk paraqesin vlerat kufitare nëse janë brenda kritereve të përcaktuara/lejuara.

Sipas Inspektoratit të MEA-së, është vetëm një OE në vend i cili raporton në baza mujore (fabrikë për prodhimin e çimentos), kurse operatorët tjerë ekonomik të cilët shfrytëzojnë resurset minerare nuk raportojnë as në MEA e as në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK).

Sipas AMMK-së, mungesa e monitorimit dhe raportimit është se nuk ka koordinim brenda MEA-së lidhur me këto aktivitete. Në momentin kur OE-të pajisen me leje mjedisore nga MEA përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave (DMMU), nuk njoftohet AMMK-ja. Si pasojë e kësaj, MEA-ja në mungesë të këtyre të dhënave nuk e bënë monitorimin dhe rrjedhimisht, nuk ka informata në lidhje me degradimin apo ndotjen e mundshme të mjedisit.

Po ashtu, as DMMU-ja nuk ka dhënë ndonjë arsyetim pse operatorët nuk raportojnë mbi vlerat kufitare dhe ndotjen të cilën e shkaktojnë në ambient sikurse janë të obliguar dhe pse nuk është ndërmarrë ndonjë veprim për t’i siguruar këto raportime.

Më një fjalë, sipas ZKA-së nuk ka ndonjë shpjegim për mungesën e bashkëpunimit ndërmjet departamenteve/agjencive në kuadër të MEA-së. Por, mungesa e bashkëpunimit ndërmjet këtyre akterëve bënë që, MEA-ja mos të ketë informacionin lidhur me ndotjet që shkaktohen në ambient nga aktiviteti minerar, dhe rrjedhimisht mungon marrja e veprimeve adekuate.

Nga analizat e ZKA-së, 14 operatorë janë gjetur nga inspektorati i kësaj ministrie pa leje mjedisore, madje tetë (8) prej tyre nuk kanë as pëlqim mjedisor. Përveç mungesës së lejes/pëlqimit mjedisor, operimi i tyre është përcjellë me rreziqe dhe dëme në natyrë. Dy prej tyre nuk kishin të rrethuar as zonën ku zhvillohet aktiviteti minerar sikurse kërkohet me standarde, kurse në tri raste, OE-të ishin duke shkaktuar pluhur dhe në një rast duke shkarkuar mbetjet e llumit të ngurtë në lumin e Drinit të Bardhë.

Në shumicën e rasteve, Inspektorati kishte dhënë vërejtje që për një periudhë brenda 15-30 ditëve, OE-të të fillojnë procedurat e licencimit dhe pajisjes me dokumentacionin përkatës dhe kishte ndërprerë punimet duke rrethuar zonën, pajisjet dhe makineritë. Në disa raste tjera, Inspektorati kishte përcjellë vërejtjet e lëshuara ndaj OE-ve dhe të cilët kishin filluar përgatitjen e dokumentacionit. Ndërsa për OE-të që nuk kanë zbatuar vërejtjet brenda afatit, Inspektorati kishte vazhduar me ngritjen e aktakuzës në gjykatë.

Mirëpo, jo për të gjitha rastet kur është dhënë vërejtje, Inspektorati i MEA-së kishte arritur të bëjë përcjelljen, vlerësojnë nga ZKA. Kjo sipas tyre ishte rezultat i mungesës së kapaciteteve. Përveç kësaj, nuk ishte realizuar as sekuestrimi apo procedurat e konfiskimit të mjeteve dhe makinerisë në rastet e aktiviteteve të jashtëligjshme minerare.

Gjithashtu, as nuk është vërejtur nga ZKA-ja që Inspektorati kishte kërkuar ndaj OE-ve të rikthenin zonën e dëmtuar në gjendjen e mëparshme.

Për më tepër, gjatë inspektimeve në teren në procesverbalet e inspektimit, inspektoratet nuk u janë referuar qartë dispozitave ndëshkuese sipas ligjeve përkatëse për këtë veprimtari, por inspektorati kishte shqiptuar gjoba duke u referuar/bazuar në dispozitat ndëshkuese të ligjit të përgjithshëm për kundërvajtje, për OE-të që kanë shkaktuar dëme mjedisore, edhe pse duhej të aplikoheshin gjobat bazuar në ligjet speciale për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës. /Buletini Ekonomik/