Euro ishte monedha më e lirë për të marrë kredi edhe në 2020

Euro mbetet monedha më e lirë për të marrë kredi nga familjet shqiptare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020 interesi mesatar i kredive të reja në euro për individët ishte 3.56%, në rënie të lehtë nga niveli mesatar prej 3.79% i vitit 2019.

Për lekun interesat mesatare ngelen më të larta dhe mesatarja e ponderuar e llogaritur nga Banka e Shqipërisë në segmentin e individëve për vitin 2020 ishte 6.54%. Edhe për lekun interesat pësuan një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2019, kur interesi në terma mesatarë kishte qenë 6.66%.

Reklama e sponzorizuar

Hendeku i interesave mes euros dhe lekut në vitet e fundit është ngushtuar, megjithatë monedha europiane ngelet ende alternativa më e lirë në huamarrje. Kjo përcaktohet në radhë të parë nga politikat monetare. Për euron, norma bazë e interesit është në territor negativ dhe mbajtja e likuiditeteve të painvestuara përbën kosto për institucionet financiare.

Për lekun norma bazë e interesit është në nivelin minimal historik prej 0.5%, por nivel ky sidoqoftë më i lartë krahasuar me euron. Ndryshimi në normat bazë mes dy monedhave përcakton edhe ecurinë e treguesve benchmark (referues) në kredidhënie. Për euron treguesi benchmark është euribori, që aktualisht ndodhet në vlera negative (-0.5% për euriborin 12 mujor). Për lekun, treguesi referues është yield-i i bonove të thesarit, që aktualisht është ndjeshëm më i lartë dhe për bonot me maturim 12 mujor qëndron pak sipër nivelit të 2%.

Strategjia e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sektorit financiar ka tentuar të ekuilibrojë disi hendekun e normave të interesit mes dy monedhave, duke përcaktuar një normë të rezervës të detyrueshme më të ulët për lekun dhe më të lartë për euron. Gjithashtu, në rastet kur kredimarrësi ekspozohet ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (i ka të ardhurat në monedhë të ndryshme nga ajo që paguan kredinë), bankave iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital. Por megjithëse politikat rregullatore tentojnë të shtojnë kostot e kredisë në euro, ajo ngelet ende më e lirë.

Në diferencën e normave të interesit ndikon shumë edhe profili i produkteve të kredisë për secilën monedhë. Kredia në euro merret nga individët sidomos me qëllim blerjen e banesave, ku normat e interesit janë ndjeshëm më të ulëta. Po të krahasojmë normat e interesit mes lekut dhe euros vetëm për kredinë për shtëpi, diferencat janë shumë më të vogla. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë ishte 3.66%, ndërsa i atyre në euro 3.06%.

Leku ka një peshë dominuese në portofolin e kredive konsumatore, ku normat e interesit janë më të larta, duke qenë se këto kredi nuk sigurohen me kolateral. Pesha më e lartë e kredisë konsumatore bën që edhe interesi mesatar i kredisë për lekun të rritet.

Kredia në euro është më e lirë, por bart me vete rrezikun e kursit të këmbimit, në rastin kur huamarrësi i ka të ardhurat në lekë. Në vitet e fundit, kursi mes euros dhe lekut ka kaluar disa momente sporadike luhatjesh të forta. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka mjaftuar për ta stabilizuar kursin, luhatje si ajo e marsit të vitit të kaluar kur leku u nënçmua me reth 7% brenda pak javësh e bënë më të prekshëm rrezikun e kursit të këmbimit. Ky është një faktor që duhet llogaritur në zgjedhjen e monedhës së kredisë, sidomos për horizonte kohore afatgjata.

Megjithëse euro është monedhë më e lirë për të marrë kredi, çmimi nuk është faktori i vetëm përcaktues dhe në vitet e fundit kreditimi po orientohet më shumë drejt lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, 60% e kredisë së re vitin e kaluar u dha në lekë. Në fund të vitit 2020, pesha e kredisë në valutë zbriti në 50.4% të portofolit total, nga 51.5% që kishte qenë një vit më parë dhe 56.6% në fund të vitit 2018. /E.Shehu