53 të certifikuarit do të merren me analizim të ndërtesave për kursim të energjisë

Krenare Shkodra, arkitekte në Komunën e Prishtinës, është certifikuar edhe për auditore të energjisë.

Ajo së bashku me 52 auditorë tjerë të certifikuar do të merren me analizimin e ndërtesave publike që do të rinovohen, apo edhe ndërtesave të reja, në mënyrë që të kursejnë energjinë e përdorur.

Ata do të rekomandojë masa të zbatueshme me kosto optimale, në funksion të përmirësimit të efiçiencës së energjisë.

Reklama e sponzorizuar

“Puna jonë është shumë e madhe në Kosovë tash, pasi fillimisht duhet të merremi me stokun e ndërtesave publike që ka për detyrë që t’iu nënshtrohet renovimeve nga aspekti i efiçiencës së energjisë apo konsumit dhe emetimit të CO2”, tha Shkodra.

Ajo është në mesin e 53 auditorëve të certifikuar të mërkurën nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, që është financuar nga Qeveria gjermane përmes GIZ-it. Trajnimi është kryer nga UP-ja.

Edhe kandidati tjetër i certifikuar, Fahrush Azemi, ka thënë se duhet të merren masa në shumë objekte në Kosovë për të kursyer energji.

“Është moment i rëndësishëm për ne, si individë, dhe Kosovën. Për një zhvillim të qëndrueshëm, segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm. Masat duhet të merren në shumë objekte në Kosovë”, tha Azemi.

Ndarja e certifikatave për auditorët është bërë nga ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.

Kandidatët e certifikuar janë 17 arkitektë, 16 inxhinierë të ndërtimtarisë, 12 inxhinierë të elektros dhe 8 inxhinierë të makinerisë.