Miratohet aplikacioni prej 38 milionë euro për ‘Autostradën e Paqes’

0
188

Qeveria e Kosovës njofton se ka miratuar aplikacionin në vlerë prej 38 milionë euro për ndërtimin e “Autostradës së Paqes” në kuadër të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas njoftimit, këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në muajin dhjetor 2020 nga WBIF.

“U miratua edhe aplikacioni për raundin gjashtë të granteve investuese të WBIF, për Autostradën e Paqes, seksionin Besi-Merdar, në vlerë prej 38 milionë euro. Këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në dhjetor nga WBIF, dhe kjo pritet të çojë vlerën totale të përfitimit për këtë projekt në 76 milionë euro nga grantet e WBIF ose 40 për qind e kostos totale të projektit”, njofton Qeveria, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, janë miratuar projektet për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga vërshimet përgjatë lumenjve Drini i Bardhë, Sitnica dhe Morava e Binçës”, “Ndërtimi i hidro sistemit Ibër-Lepenc”, dhe “Përmirësimi i infrastrukturës në institucionet e arsimit të lartë”.

Aplikacionet e miratuara do të jenë në funksion të zbatimit të përfitimeve që Kosova do të ketë nga Plani për Ekonomi dhe Investime i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Autostrada e Paqes”, përkatësisht rruga Besi – Merdare, është paraparë të ndërtohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpi të Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.