Rritja e pagës minimale në 250 euro do të shkaktonte probleme serioze në buxhet

0
428

Rritja e pagës minimale dhe premtimi i shumë partive gjatë fushatës është bërë sërish temë në vend.

Lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti, i cili synon postin e kryeministrit, ka premtuar rritje të saj në 250 euro.

Një gjë e tillë ka tash e tre vjet që diskutohet në Këshillin Ekonomik Social, që përbëhet prej punëdhënësve, punëmarrësve dhe Qeverisë, por nuk është gjetur pajtueshmëri, për shkak të implikimeve që ajo ka si në buxhetin e punëdhënësve, ashtu edhe në buxhetin e shtetit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, që njëherësh është edhe pjesë e Këshillit Ekonomik Social, rritja e kësaj page duhet të bëhet me diskutim profesional, duke marrë parasysh goditjet që sektori privat ka marrë nga pandemia.

Megjithatë, Rukiqi thotë se rritja e mundshme e kësaj page, krahas punëdhënësve, do ta afektojë në mënyrë gati se të papërballueshme edhe buxhetin e shtetit.

“Në këso lloj rrethanash nuk e konsideroj problem vlerën sa i përket punëdhënësve në këtë rast, por e shoh problematike se a do të mund ta përballojë buxheti i vendit këtë, duke e ditur që ka një ndërlidhshmëri me skemat tjera sociale para së gjithash me pensionin e veteranit”, ka thënë Rukiqi.

Mes tjerash, rreth 40 mijë persona marrin pension të veteranit dhe lartësia e kësaj shume është e rregulluar me ligj që të mos paguhet nën pagën minimale të përcaktuar në Kosovë, gjë që do ta rëndonte më tej buxhetin e vendit

Por, pavarësisht kësaj, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë kërkuar rritje të pagës minimale në 350, e siç thonë në të kundërtën, Qeveria e ardhshme do të përballet me protesta.

“Ne do të qëndrojmë në kërkesën që paga minimale e punëtorit të jetë 350 euro ku të gjithë parametrat tregojnë se ne mund të arrijmë deri te kjo dhe nuk ka asnjë arsye të mos vijë deri te kjo pagë”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Kreu i VV-së gjithashtu ka deklaruar se me qeverisjen e tij, paga minimale prej 250 eurosh do të përjashtohet nga tatimi në të ardhura personale.