Ministria e Infrastrukturës “kampione” me zyrtarë të akuzuar për korrupsion

Një pjesë e madhe e zyrtarëve që kanë pozita drejtuese në Ministrinë e Infrastrukturës ose po përballen me akuza për korrupsion, ose janë nën hetime për të njëjtat dyshime. Tre sekretarët paraprakë të kësaj ministrie kanë aktakuza. Aktakuzë ka edhe menaxheri i prokurimit, ndërsa i dënuar për korrupsion është ish-shefi i prokurimit i këtij institucioni, por që është kthyer në këtë institucion me vendim të Shërbimit Mbikëqyrës Civil.
Tre ish-sekretarët paraprakë të Ministrisë së Infrastrukturës janë të akuzuar për korrupsion. Xhelil Bekteshi, Nebih Shatri e Betim Reçica po përballen me akuza në tri raste të ndryshme. Përderisa gjykimi ndaj Bekteshit ka kohë që ka nisur, aktakuza ndaj Shatrit është ngritur para disa muajsh, e për Reçicën gjatë kësaj jave.Bekteshi akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar kishte tejkaluar kompetencat zyrtare dhe e kishte favorizuar një kompani në një tender në këtë ministri.

“Koha” ka provuar ta kontaktojë avokatin që e përfaqëson në këtë rast penal, Betim Shala, po ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Ish-sekretari tjetër i akuzuar, Nehbih Shatri, i cili tani mban pozitë drejtuese në njërën nga departamentet e kësaj ministrie, ka thënë se e ka pranuar aktakuzën, por se veprimet e tij konsideron që janë në përputhje me ligjin.

”Aktakuzën e kam marrë ndërkohë dhe e njëjta është e kualifikuar si ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ sipas nenit 422. Personalisht jam i bindur se veprimet e mia janë në përputhje me ligjin dhe çdo veprim të cilin e kam bërë është në zbatim të ligjit. E, që do ta dëshmoj edhe në gjykatë. Nuk dëshiroj të lëshohem më tepër në përmbajtjen e aktakuzës. Mirëpo, pres që ju dhe mediat e tjera të jeni prezentë në gjykatë, ku do të keni mundësi të kuptoni se pse jam pjesë e këtij procesi. Njëherësh ju premtoj se për secilën seancë gjyqësore do t’ju njoftoj menjëherë sapo ta marr njoftimin”, ka thënë Shatri.

Reklama e sponzorizuar

Betim Reçica, ish-sekretar që para një viti në kuadër të riorganizimit të ministrive ishte larguar nga kjo pozitë, po ashtu është akuzuar. Prokuroria Speciale e ngarkon atë më disa vepra penale që lidhen me korrupsion në rastin e dhënies së tenderit për “Autostradën e Gjilanit”.

KOHA ka provuar qe disa ditë ta kontaktojë Reçicën, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Së bashku me Reçicën, në aktakuzë janë edhe tre zyrtarë të këtij institucioni.

Aktakuzë për korrupsion ka edhe Besim Tahiri. Ai para disa ditësh është caktuar ushtrues detyre i menaxherit të prokurimit në këtë institucion. Dyshimet e prokurorisë kundër tij janë për përfshirje në korrupsion.

Ai akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit për një tender që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Avokati i tij, Florent Lata, përmes një bisede të shkurtër përmes telefonit, ka thënë së është ndërruar trupi gjykues për këtë rast dhe se ende nuk është vendosur nëse gjykimi do të fillojë nga e para, apo provat do të konsiderohen si të shqyrtuara.

Aktakuzë për korrupsion ka edhe ndaj Kadri Krasniqit, ish-drejtor i Departamentit të Automjeteve në MI, tash drejtor i një tjetër departamenti.

Krasniqi e ka telefonuar KOHËN para disa javësh dhe ka mohuar se është i akuzuar, por Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar të kundërtën.

“Referuar pyetjes së parashtruar nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas ndërmarrjes së një morie veprimesh nga ana e prokurorit të çështjes, ka ngritur aktakuzë kundër personave të poshtëshënuar. Aktakuza është proceduar në gjykatë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjën e Prokurorisë së Shtetit.

Edhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni janë pjesë e hetimeve për dyshime për keqpërdorime, sidomos me tenderë.

Numrin kaq të lartë të aktakuzave, Ehat Miftaraj nga IKD-ja e ka konsideruar si tregues të integritetit të ulët në këtë institucion.

Vazhdimisht kjo ministri është përballur me akuza për korrupsion. Ish-shefi i prokurimit në këtë institucion, Nexhat Krasniqi, është dënuar për korrupsion. Me vendim të Shërbimit Mbikëqyrës, kjo ministri është detyruar ta kthejë Krasniqin në institucion.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, me vendim të datës 4 dhjetor të vitit të kaluar, përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. e datës 7 shkurt të vitit 2019, e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.

Sipas këtij vendimi, obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK-ja thekson se më datën 15.05.2016 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit, ankuesin Nexhat Krasniqi e dënon me dënim me kusht. Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me datën 02.02.2017, sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm, merr në shqyrtim lëndën ndaj ankuesit Nexhat Krasniqi.

Buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës është ndër më të lartit nga secili institucion tjetër për shkak të projekteve rrugore. /Koha.net/