AUV-i për afro 14 muaj ka asgjësuar 700 kilogramë produkte ushqimore

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës është rritur numri i ankesave për produktet ushqimore jocilësore dhe pa afat. Ky autoritet nga fillimi i vitit të kaluar e deri më sot ka asgjësuar mbi 700 kilogramë produkte ushqimore që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Po ashtu AUV-i në dy muajt e fundit ka shqiptuar rreth 250 gjoba për qytetarët dhe partitë politike që nuk i kanë respektuar masat anti-Covid.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi, theksoi për KosovaPress, se kontrollet në import të mallrave ushqimore janë realizuar qind për qind. Sipas tij, çdo ngarkesë i është nënshtruar procedurave të rregullta të kontrollit dhe varësisht nga të gjeturat është vendosur për ngarkesat për t’u lejuar që të hyjnë në tregun tonë apo jo.

Reklama e sponzorizuar

“Edhe nga statistikat që kemi nga departamenti për mbrojtje të konsumatorëve, jemi autoriteti që prijmë për nga numri i ankesave që vijnë pikërisht për shkak të besueshmërisë që kanë qytetarët në autoritetin tonë, sepse për të gjitha ankesat ata gjithmonë në kohë rekorde marrin përgjigje për rastet e raportuara. Raste e raportuara gjithmonë kanë marrë zgjidhje nga ana e inspektoratit dhe ky bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteti duhet të vazhdojë, sepse siguria ushqimore, është siguri e përgjithshme, e cila nuk i takon vetëm autoritetit”, thekson Thaçi.

Ai ka treguar edhe për llojin e produktit të orizit “Brown Rice Basmati organic 500g”, që është larguar nga tregu dhe për kujdesin që duhet pasur konsumatorët.

“Kemi edhe për këtë vit produkte që janë larguar nga tregu, janë asgjësuar. Është rasti i orizit që ka qenë i paketuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe është raportimi se ka një toksinë brenda këtij orizi dhe i cili ka qenë duke u tregtuar edhe në vendin tonë. Ndërsa, ne kemi vepruar me një herë në linjë me shtetet tjera në të cilat ka qenë i shpërndarë ky oriz… Si autoritet kompetent me mandate për të ruajtur sigurinë ushqimore pa marrë parasysh origjinën e produktit kushti bazë që një produkt të del në treg, ai duhet të jetë i sigurt. Edhe numri i madh i prodhimeve që vijnë nga importi gjithmonë në masën 100 për qind jemi një autoritet që kontrollon çdo ngarkesë i nënshtrohet kontrollit të inspektorati kompetent”, thotë ai.

Ndërsa, sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për pandeminë, Thaçi thotë se në dy muajt e fundit, janar dhe shkurt, AUV ka ndëshkuar qytetarë, biznese dhe parti politike që kanë shkelur këtë ligj.

Partitë politike, sipas tij, janë ndëshkuar për tubimet zgjedhore në kundërshtim me Ligjin për pandeminë.

“Nga fillimi i vitit 2020 e deri më tani çdo ditë dhe çdo natë inspektorët e AUV janë në terren për mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCovid dhe vetëm për këtë periudhë kohore, kemi pasur rreth 250 gjoba vetëm për persona juridik, këtu hyjnë edhe gjobat për mbajtjen e organizimeve apo tubimeve të ndryshme dhe kudo që është hasur nga ana e inspektorëve që janë shkelur vendimet e qeverisë gjithmonë është ndërmarrë veprimi konform ligjit në fuqi… Të gjithë ato që hyjnë në kategorinë e personave juridik, ka edhe gjoba për parti politike ose për mbajtje të organizimeve nga partitë politike”, thotë Thaçi.

Ai po ashtu thekson se mbi 2 mijë persona fizik dhe juridik janë ndëshkuar në vitin 2020 për mos respektim të masave antiCovid./Kosovapress/