Qeveria në detyrë ndan 700 mijë euro për zyrtarët policor dhe mijëra të tjera për disa kategori

0
172

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka ndarë mjetet për disa kategori, nga programi për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka treguar se ndarja e mjeteve është për punëtoret arsimor, shëndetësor, zjarrfikësve dhe ata të policisë.

“Ju paraqes propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për disa organizata buxhetore për të ndarë shtesa për muajin shkurt dhe mars për disa kategori që nuk kanë qenë të përfshira në vendimet paraprake por që janë drejtpërdrejtë të ekspozuara rrezikut në menaxhimin me pandeminë. Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi që e kemi ndarë nga fondi për rimëkëmbjen ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, kjo është shtesa e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt. Kjo përfshinë të gjithë personelin që janë të angazhuar në arsimin primar dhe sekondar”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur po ashtu se për muajt shkurt dhe mars edhe për zyrtarët policorë do të ndahen 700 mijë euro, për zjarrfikësitë 180 mijë euro, për punëtorët në qendra sociale 78 mijë euro, për profesionistët shëndetësorë 100 mijë euro, për punëtorët teknikë për shërbimin e pastrimit dhe sigurimin e institucioneve shëndetësore 160 mijë euro.

Sipas saj, kategoritë e tjera që janë të angazhuar ne menaxhimin e pandemisë e që nuk janë pjesë e këtij vendimi do të trajtohen me vendime të veçanta.

Reklama e sponzorizuar