Kosovë: Pagesa shtesë për punëtorët që u angazhuan më shumë gjatë pandemisë

0
465

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë mjete financiare për pagesa shtesë të punëtorëve, në sektorë të ndryshëm, që kanë pasur angazhim të shtuar gjatë përballjes me pandeminë e COVID-19. Në një mbledhje të mbajtur të enjten, për sektorin e arsimit janë ndarë mjete në vlerë prej tre milionë euro, atë të sigurisë 700,000, për zjarrëfikësit 180,000 euro si dhe për punonjësit aktiv social në Qendrat për Punë Sociale 78,000 euro.

Ndërsa për sektorin shëndetësor, në të gjitha nivelet, janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 260.000 euro.

“Të gjitha këto mjete merren nga Programi për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç mjeteve për sektorin e arsimit të cilat janë mjete nga fondi 5 milionësh i ndarë paraprakisht për këtë sektor”, tha ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria në detyrë e Kosovës në njoftimin e saj ka thënë se edhe kategoritë tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhim të pandemisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga COVID-19, por që nuk janë pjesë e këtij vendimi, do të mund të trajtohen me vendime të veçanta. Nuk njoftohet se për cilat kategori bëhet fjalë.

Rastet e para me koronavirusin e ri në Kosovë janë paraqitur në mars të vitit 2020.

Autoritetet disa herë kanë ndërmarrë masa të izolimit për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.

Rreth 222 milionë euro është vlera e mjeteve në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje. Ky ligj është miratuar më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, më 15 janar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka prezentuar 16 masa për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021.Në këto masa përfshihet ndihma për sektorin privat, atë shëndetësor dhe skema sociale.