Më 2020, rritje alarmante të rasteve të vdekjeve në Kosovë

Rritje alarmante e shifrës së vdekjeve është regjistruar më 2020 në Kosovë. Saktësisht 1556 vdekje më shumë janë regjistruar në 12 muajt e 2020-s në krahasim me 12 muajt paraprakë. Më 2020 në Kosovë vdiqën 11 mijë e 108 persona. Kjo mund t’i referohet rritjes së vdekjeve si pasojë e koronavirusit.

Pavarësisht kësaj, shifrat alarmante nuk kanë zmbrapsur partitë politike që në fushatën elektorale po shkelin masat me turma të mëdha të njerëzve, pa maska e pa distancë sociale.

Besnik Pula, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Virginia Tech, ka përpiluar një grafikon me të dhënat e nxjerra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ai ka bërë krahasimin, pos me 2019-n, edhe me një vit më herët. 2242 më shumë vdekje u regjistruan më 2020 në raport me 2018-n.

Reklama e sponzorizuar

“Shifra morbide. Vdekjet në Kosovë, 2020 në krahasim me 2019 dhe 2018; ose, kostoja e lartë e Covid-19. Në vitin 2020 Kosova kishte 1.556 më shumë vdekje se në vitin 2019 e 2.242 më shumë vdekje se në vitin 2018. Me një fjalë, numri i vdekjeve vjetore në Kosovë është me mijëra mbi shkallën normale”, ka shkruar ai në sqarim të grafikonit.

Në komentin e tij, ai ka kritikuar partitë politike që po bëjnë shkelje të vazhdueshme të masave.

Sipas tij, “me këtë ritëm takimesh e tubimesh elektorale, e mospërfillje të përgjithshme ndaj udhëzimeve mjekësore dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit, e me vaksinën askund në horizont, Kosova me sa duket ka vendosur që në vitin 2021 ta thyejë edhe këtë rekord morbid”.

Si pasojë e koronavirusit, që në Kosovë u regjistrua për herën e parë në muajin mars të 2020-s, kanë vdekur 1519 persona. Aktualisht janë 6714 raste aktive.