Policia gjermane konfiskon bitcoin me vlerë 50 milionë euro, por nuk dihet fjalëkalimi

Policia gjermane ka konfiskuar bitcoin me vlerë prej më shumë se 50 milionë eurosh nga një mashtrues. Megjithatë, ekziston një problem: autoritetet nuk mund t’i zhbllokojnë të hollat, sepse mashtruesi nuk po ua tregon fjalëkalimin.

Burri i përfshirë në këtë rast është dënuar me burgim dhe tashmë e ka mbaruar vuajtjen e dënimit, por ka vendosur që të heshtë gjatë tërë kohës, ndonëse policia vazhdimisht ka bërë përpjekje që ta gjejë kodin për të pasur qasje në mbi 1.700 njësi bitcoin, tha një prokuror në qytezën bavareze, Kempten.

“E kemi pyetur, por nuk ka treguar. Ndoshta ai nuk e di (fjalëkalimin)”, tha prokurori Sebastian Murer.

Reklama e sponzorizuar

Valutat bitcoin vendosen në një softuer të njohur si kuletë digjitale, e cila sigurohet përmes enkriptimit. Për hapjen e saj përdoret një fjalëkalim, shkruan Reuters.

Mashtruesi është dënuar me mbi dy vjet burgim për instalimin e softuerit në kompjuterë të tjerë në mënyrë që të ketë mundësi për të pasur qasje në valutën digjitale.

Kur ai u dërgua në burg, vlera e valutave të bllokuara ka qenë shumë më e vogël, por tani vlera e tyre është rritur shumë, duke shënuar rekord muajin e kaluar. Çmimi i një njësie të premten u shit për 37.577 dollarë.