Shpërndarja e 2.5 milionë eurove për rimëkëmbje edhe në kulturë s’ka afat

Objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)

Ministria e Kulturës ka marrë “këstin” e dytë nga Fondi për rimëkëmbje. Janë 2.5 milionë euro prej të cilave nuk dihet se sa do të marrë kultura. Nga i njëjti fond, vitin e kaluar MKRS-ja s’i kishte ndarë për artistët as gjysmë milioni. Përkrahja erdhi tek në fund të vitit dhe për këtë u kritikua jo pak. As tash nuk ka një afat se kur dhe në çfarë forme do të shpërndahen mjetet

Prishtinë, 18 janar – Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që edhe 2 milionë e 500 mijë euro të shpërndahen nga Ministria e Kulturës në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike. Është gjysma e dytë e mjeteve që ishin planifikuar qysh në shtator të vitit të kaluar. Porse, kur do të jenë këto mjete në dispozicion të MKRS-së, kjo ende nuk dihet. Nuk e di Ministria e Kulturës e as ajo e Financave. Një tjetër çështje që nuk mund të sqarohet nga institucionet është se nga sa mjete do të shkojnë për sektorët që mbulon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të ndahen mjete në shumë 2.500.000 euro për mbështetjen financiare për punësimin e të rinjve, përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile, grupeve të tjera joformale, stimulimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe rivitalizimit të tyre”, shkruhet në vendimin e Qeverisë i marrë të premten.

Reklama e sponzorizuar

Por, që Ministria e Kulturës të marrë këto mjete duhen plotësuar disa kushte. Sipas vendimit, Qeveria duhet të miratojë një plan që i propozohet nga MKRS-ja më pas t’i shikojë prioritetet e ekzekutivit e po ashtu edhe disponueshmërinë e mjeteve dhe burimeve të financimit.

Këtë e ka sqaruar edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi. Ai nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të shfrytëzohen mjetet.

“Shpërndarja e mjeteve varet nga të hyrat, por edhe nëse do të shfrytëzohet bilanci bankar”, ka thënë ai për KOHËN të hënën.

Për dallim prej Krasniqit që është i dyti në hierarkinë e kuletës së shtetit, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka qenë më shpresëdhënëse. Ajo ka thënë se mjetet do të nisin të shpërndahen shpejt.

“Besoj se shumë shpejt do të nisë shpërndarja”, ka thënë Dumoshi. Sipas saj, kësaj radhe këto mjete do të shpërndahen për t’i ndihmuar rininë, artin dhe kulturën.

“Me sport ka përfunduar në fazën e parë. Tash i kemi rininë, artin dhe kulturën”, ka thënë ajo. Sipas Dumoshit, MKRS-ja nuk ka nevojë që të përgatisë dokument shtesë për ta miratuar në Qeveri sa i përket shpërndarjes së mjeteve pasi këtë punë e ka kryer në fazën e parë.

Por, Ministrisë së Kulturës ashtu sikurse krejt Qeverisë nuk i kanë ecur punët mirë me ndihmën që u ka dhënë grupeve të ndryshme sa i përket situatës së krijuar shkaku i koronavirusit.

Fillimisht në mars e më pas edhe në qershor të vitit të kaluar, sportit, kulturës e rinisë iu premtuan nga 5 milionë euro si ndihmë për shkak të pandemisë. Por, deri në fund të shtatorit, gjithçka ishte në nivel muhabetesh. Por as në fund të shtatorit Qeveria nuk ka mundur t’u dalë zot premtimeve e planifikimeve. Ishin ndarë vetëm 2.5 milionë euro. Prej tyre vetëm 461 mijë euro për kulturën. Pjesa tjetër ishte destinuar për sportin dhe rininë.

Për disa nga përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore, vendimi i asokohshëm i Qeverisë është veprim “sa për t’iu hedhur hi syve artistëve”. Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës nuk kishte një “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Në nëntor u hap konkursi për projekte individuale. MKRS-ja në fund të vitit kishte përkrahur edhe 269 projekte të tilla në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike. Kjo ndihmë ishte bërë shkaku i pandemisë.

Por, MKRS-ja kishte shfrytëzuar edhe buxhetin e trashëgimisë kulturore, duke i përkrahur këto projekte me 594 mijë euro. Thirrja e asokohshme ishte vetëm për individë. E kësaj radhe do të jetë edhe për organizata.

Por, thirrja ishte parë si ndihmë për krijuesit e pavarur. Problem në vete ishte vlerësuar fakti që Ministria nuk ka kryer asnjë kërkim në terren për t’i identifikuar nevojat e skenës së pavarur të kulturës.

“Kjo mungesë e të dhënave empirike për sektorin e kulturës ekziston edhe para pandemisë dhe ka pamundësuar vazhdimisht veprimin institucional adekuat karshi kontekstit lokal”, kishte thënë sociologia Blerta Ismaili në dhjetor, teksa kishte shtuar se Grupi i Punëtorëve të Artit, “PART”, kritikonte kushtëzimin e Ministrisë për përkrahjen financiare me prodhime të reja.

Asokohe, dramaturgu Jeton Neziraj kishte thënë se nuk bëhet fjalë për “ndihmë ndaj skenës së pavarur të artit, por për vitra”.

Të hënën ka thënë se nuk i takon të paragjykojë apriori, por nga praktikat e deritanishme nuk është se ka pritje të mëdha.

“E nisin mirë, dorëzohen lehtë dhe pastaj veprojnë me inercion ‘historik’ qysh ta pret sëpata”, ka thënë ai.