Fondi Sovran i Norvegjisë fiton 101 miliardë euro gjatë vitit 2020

Fondi Sovran i Norvegjisë që ka një pasuri mbi 1 trilion euro, gjatë vitit 2020 ka fituar mbi 101 miliardë euro.

Sipas njoftimit, kjo rritje kaq e madhe ndodh për herë të dytë në historinë e saj 25 vjeçare.

“Pavarësisht që pandemia COVID-19 e ka karakterizuar 2020-në, ka qenë një vit i mirë për Fondin. Sidoqoftë, kthimi i lartë na kujton gjithashtu se vlera e tregut e fondit mund të ndryshojë shumë në vijim”, tha guvernatori i Bankës Qendrore të Norvegjisë, Oeystein Olsen, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Krahasuar me vitin e kaluar, kthimi nga investimi ishte 10.9 për qind apo 0.27 pikë përqindje më i lartë se kthimi në indeksin e referimit të Fondit.

Ndarja e aseteve të Fondit Sovran të Norvegjisë

Të hyrat e Fondit u rritën nga aksionet e kompanive amerikane të teknologjisë, si Apple, Amazon, Microsoft dhe Tesla.

“Kompanitë e teknologjisë kishin kthimin më të lartë në vitin 2020, pra një kthim prej 41.9 për qind. Kjo është kryesisht për shkak të pandemisë që rezultoi në një rritje masive të kërkesës për produkte e shërbime online në shumë fusha, si në arsim, tregti e argëtim” deklaroi shefi ekzekutiv i Fondit, Nicolai Tangen.

Fondi Sovran është themeluar në vitin 1996 dhe mban aksione në mbi 9 mijë kompani në mbarë botën. Ky Fond, mban ekuivalentin e rreth 200 mijë dollarëve për çdo norvegjez.