Vaksinat jomjaftueshëm efikase i favorizojnë mutacionet e rrezikshme

Reagimi i pamjaftueshëm i sistemit imunitar karshi vaksinave mund të shkaktojë mutacione dhe ta bëjë koronavirusin edhe më agresiv. Prej tij mund të riinfektohen edhe ata që veçse janë shëruar nga COVID-19

Berlin, 28 janar – Në rast se vaksinat nuk janë mjaftueshëm të efektshme, atëherë viruset që anashkalojnë sistemin imunitar të njeriut mund të prodhojnë mutacione, prej të cilave mund të infektohen përsëri ata që janë shëruar. Po kështu, nëse vaksinat që tani janë në përdorim kundër COVID-19 nuk funksionojnë më, do të bëhet i nevojshëm rishikimi i tyre.

Kjo gjë del sipas vaksinologut Philip Krause, i cili kryeson grupin e punës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinat anti-COVID-19. Ai ka thënë gjithashtu se deri më tani koronavirusi nuk duket se është bërë rezistues ndaj vaksinave. Por ka paralajmëruar se “zhvillimi i shpejtë i mutacioneve e nxit supozimin se virusi mund të zhvillohet në një fenotip rezistues ndaj vaksinës më shpejt sesa që do të dëshirohej”.

Evolucioni i varianteve të virusit

Reklama e sponzorizuar

Gjatë riprodhimit, kodi gjenetik i virusit zhvillon mutacione. Dhe vaksinat që po përdoren tani ushtrojnë presion evolucionar mbi virusin. Pra, në gjendje të riprodhohen do të jenë vetëm ato variante të virusit, të cilat i shpëtojnë sistemit imunitar për shkak të mutacioneve të tyre.

Virologu Andrew Read nga Universiteti Shtetëror i Pennsylvannias ka bërë të ditur se zhvillimin e llojeve të rrezikshme të virusit mund ta nxisin edhe vaksinat e dobëta ose shtyrja e tepërt e vaksinimit me dozën e nevojshme të dytë.

Kjo është arsyeja pse vonesa e dozës së dytë të vaksinimit, siç po ndodh aktualisht në Britaninë e Madhe dhe që së shpejti mund të ndodhë edhe në SHBA, shihet me mjaft kritikë. Sepse kjo do të thotë që organizmi i shumë njerëzve që kanë mbrojtje fillestare prej dozës së parë të vaksinës nuk mund të krijojë një përgjigje mjaft të fortë imunitare.

Në këto kushte viruset krijojnë mutacione dhe nëse një virus i tillë godet një person të pavaksinuar, efektet mund të jenë shkatërruese. Shumë virologë janë të mendimit se përhapja e pakontrolluar e virusit, për shkak të rritjes së infektimeve, përbën një rrezik të madh.

Vaksinim i vazhdueshëm si me vaksinën e gripit?

Fatmirësisht, deri më tani vetëm pak viruse kanë zhvilluar rezistencë ndaj vaksinave dhe shumë vaksina janë efektive. Për shembull, as virusi i lisë dhe as ai i fruthit nuk ishin në gjendje të zhvillonin mutacione në mënyrë që t’i shpëtonin imunitetit të gjeneruar nga vaksina.

Megjithëkëtë, ndryshe qëndron puna me viruset e gripit, të cilat zhvillohen aq shpejt saqë çdo vit nevojitet të zhvillohen vaksina të reja.

Nëse virusi SARS-CoV-2, i cili është përgjegjës për sëmundjen pandemike COVID-19, sillet në mënyrë të ngjashme, atëherë do të duhet që edhe vaksinat kundër koronvirusit të azhurnohen rregullisht.