Afro 14 milionë euro më pak për blerjen e barnave më 2021

Një nga kategoritë ku më së shumti është prekur buxheti është shëndetësia, sidomos ajo për blerjen e barnave esenciale. Përveç SHSKUK-së që ka rreth 9 milionë më pak se që ka kërkuar, buxheti në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë kategori është zvogëluar për afro 5 milionë euro. MSH-ja e ka lënë të hapur mundësinë që për këtë kategori buxheti të rishikohet në qershorin e vitit 2021

Prishtinë, 25 janar – Afro 9 milionë euro më pak sesa kërkesa janë paraparë në buxhetin e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK) për blerjen e barnave të Listës esenciale për vitin 2021.

Në kohën e përballjes me situatën epidemiologjike të krijuar nga COVID-19, këtij institucioni i është zbritur buxheti për rreth 17 milionë euro, prej të cilave mbi 50 për qind më pak për blerjen e barnave dhe materialit mjekësor të Listës esenciale.

Reklama e sponzorizuar

Janë dy lloj buxhetesh për barna të Listës esenciale në Kosovë.

Derisa rreth 11 milionë euro, në kuadër të buxhetit të MSh-së, kanë shkuar për kontraktimin e barnave për sëmundje të rralla, SHSKUK-ja i ka pasur për disa vjet rreth 24 milionë euro për blerjen e barnave të Listës esenciale.

Të dyja linjat tashmë janë zvogëluar.

Kësisoj, SHSKUK-ja do të ketë rreth 9 milionë më pak nga ajo sa ka kërkuar, përderisa buxheti në kuadër të MSH-së 5 milionë euro më pak. Një gjë e tillë konfirmohet nëse krahasohen Ligji i buxhetit i këtij viti me atë të vitit paraprak.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë pranuar zvogëlimin e buxhetit për barna.

“Zvogëlim buxheti ka në kuadër të Programit Farmaceutik të MSH-së sipas Ligjit të buxhetit të miratuar, por MSH-ja dhe MEF-ja janë duke diskutuar detajet e akomodimit adekuat të fondit prej 10 milionë eurove të cilat Qeveria i ka ndarë për blerje të materialeve për COVID-19 dhe aparaturave, krahas 40 milionë eurove të cilat janë ndarë për vaksinat anti-COVID”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ky institucion e ka lënë të hapur mundësinë që për këtë kategori buxheti të rishikohet në qershorin e vitit 2021.

“Me mjetet e ndara parashihet që të mbulohen nevojat për furnizim të qëndrueshëm me barna dhe materiale shpenzuese, ndërkohë që, varësisht prej trendit të shpenzimeve në pjesën e parë të vitit dhe nevojave, buxheti rishikohet në qershor 2021 dhe mund të pësojë ndryshime”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.

Lista esenciale e barnave është reviduar në shtatorin e 2019-s. Aty janë futur brende të njohura të barnave, shumë të kushtueshme, të cilat nuk janë blerë shkaku i buxhetit të vogël për këtë kategori.