Banorët e “Taslixhes” qe 10 ditë me reduktime të gjata të rrymës

97

Reduktimet e energjisë janë bërë të zakonshme në 10 ditët e fundit për banorët e rrugës “Naser Hajrizi” në “Taslixhe” të kryeqytetit.

Me një gjë të tillë thonë se ndonjëherë po ballafaqohen nga orët e mbrëmjes e deri në mëngjes.

“Qe dhjetë ditë kemi problem me rrymën elektrike, në katër-pesë ditët e fundit prej orës 5-6 në mbrëmje ndalet totalisht, ditëve të tjera tentojnë me rregullu, i lëshojnë dy faza të cilat janë shumë të dobëta”, thotë banori i kësaj lagjeje, Xhavit Maloku.

“Problem kemi me frigorifer me ushqim, me gjithë ato, edhe e dinë, por nuk lajmërohen, dy telefona i kam thirr po kurrkush nuk e merr telefonin se e dinë çka kanë bë”, shton Shaban Bahtiri.

Problem tjetër i madh i këtyre banorëve është edhe prishja e pajisjeve të ndryshme elektrike shtëpiake.

“Sa vijnë dhe e rregullojnë nuk shkon një orë, thonë ‘po e qet’. Po ata duhet me bë një zgjidhje me forcu. Nuk dimë çka me ba, ne jemi në hall krejt lagjja këtu, sigurisht janë 200 shtëpi”, deklaron Besim Kurteshi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, jep shpjegimin se pse sipas tij po ndodhin ndërprerjet.

“Arsyeja kryesore është se ka tejkalim të kapaciteteve të deklaruara nga ta, ne secilin konsumator kur të krijojmë marrëdhënie klient-kompani e pyesim për kapacitete dhe duhet t’i shënojmë në mënyrë të saktë kapacitetet instaluese brenda në shtëpinë e tyre. Deklarojnë kapacitetet shumë më të vogla shumica, dhe pastaj vije te këto mbingarkesa”, thotë ai.

Buzhala thotë se për të evituar probleme të ngjashme, KEDS-i po shtrin rrjetin e tensionit të ulët, e që pritet të përfundojë së shpejti.