Planifikohet zgjerimi i parkingjeve për qytetarët që hyjnë në Prishtinë

“Prishtina Parking” synon zgjerimin e zonave për parkingje për banorët që vijnë nga jashtë Prishtinës. Kjo kompani ka filluar zbatimin e projektit për parkingjet publike me pagesë ku janë vendosur dhe laurat informuese.

Liridon Restelica, kryeshef ekzekutiv i “Prishtina Parking”, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se aktualisht janë pesë parkingje të ndara në dy zona.

“Kemi pesë parkingje me laura në menaxhim zonën një dhe zonën dy. Në zonën një gjenden dy parkingje, ndërsa tri gjenden në zonën dy”,  tha Restelica.

Reklama e sponzorizuar

“Do të zgjerohemi edhe me parkingje tjera për banorët që vijnë jashtë Prishtinës, të cilët kartën e parkingut mund ta përdorin edhe për transport urban”,  tha ai.

Ai tha që kjo është faza testuese dhe fton qytetarët që të nisin aplikimet pasi aplikacionet janë gati dhe munden online të aplikojnë.

“Kemi pasur një pritje të mirë edhe nga kontrollet  tanë dhe qytetarët janë të kënaqur” u shpreh tutje Restelica.