Ekonomia shqiptare për nëntë muaj ka humbur të paktën 1 miliard euro nga pandemia COVID-19


Pandemia e COVID-19 ia ka dhënë një goditje të fortë ekonomisë këtë vit, me humbjet që sa vijnë e shtohen.

Sipas Institutit të Statistikave, ekonomia ra me gati 3.5 për qind në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje me 10.2 për qind në të dytin dhe 2.5 për qind në të parin.

Sipas tabelave zyrtare të INSTAT, për 9-mujorin 2020, Prodhimi i Brendshëm Bruto ishte 9.4 miliardë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia ka prodhuar rreth 720 milionë euro më pak.

Reklama e sponzorizuar

Por kjo është vetëm humbja në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse e gjithë bota nuk do të ishte pushtuar nga pandemia dhe pasojat e saj, ekonomia vendase parashikohej të rritej edhe me 3 për qind deri 4 për qind në 2020-në, ndërsa inflacioni do të luhatej në 1.5 për qind deri 2 për qind. Ndaj, krahas rënies në raport me një vit më parë, ekonomia ka humbur për 9 mujorin edhe rreth 300 milionë euro, që është rritja e munguar nëse nuk do të kishte shpërthyer pandemia.

Si rrjedhojë, për 9-mujorin, humbjet e shkaktuara nga pandemia (rënia në raport me vitin e kaluar dhe rritja e munguar) i kanë kaluar 1 miliard euro.

Kjo është hera e parë, të paktën prej vitit 2009, kur INSTAT raporton të dhënat, që vlera e prodhimit të brendshëm bruto është në rënie.

Të dhënat tregojnë se tkurrja më e fortë ishte në tremujorin e dytë, apo 570 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, 94 milionë euro më pak në të parin dhe 130 milionë euro më pak në të tretin.

Sektori më i goditur ka rezultuar tregtia, transporti, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që ka qarkulluar rreth 250 milionë euro më pak në krahasim me 9 mujorin, në një sinjal të dobësisë së konsumit si dhe të pasojave që kanë dhënë se aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor rënia e turizmit.

Sektori i dytë me rënien më të fortë është industria me gjithsej 170 milionë euro, ku tkurrja më e madhe ishte në industrinë nxjerrëse, teksa në prill disa prodhues të mëdhenj të naftës, përfshirë Bankers Petroleum, ndërprenë përkohësisht prodhimin. Më pak e ndikuar ishte industria përpunuese, që u gjallërua sidomos në tremujorin e tretë.

Aktivitetet shkencore, profesionale, administrative dhe mbështetëse kanë qarkulluar rreth 90 milionë euro më pak. Më pak të goditura ishin shërbimet financiare e sigurimet, ndërtimi, bujqësia, ndërsa i vetmi që ka vijuar rritjen në kohë pandemie është aktiviteti i pasurive të paluajtshme.

Sipas informacioneve nga tregu, shtatori ishte muaji më i mirë, pas pandemisë, e reflektuar kjo dhe në të ardhurat buxhetore të tetorit (që tregojnë ecurinë e muajit të mëparshëm), që ishin më të lartat që pas pandemisë dhe në të njëjtin nivel të një viti më parë.

Ecuria e shtatorit u ndikua dhe nga hyrjet më të larta të shtetasve të Kosovës, që ishin mbi 40 për qind më të larta me bazë vjetore. Më pas, përkeqësimi i situatës së pandemisë dhe kufizimet e pjesshme vlerësohet të kenë ndikuar sërish negativisht ekonominë në tremujorin e tretë. Sidomos në dhjetor, që zakonisht është një muaj ku aktiviteti tregtar dhe i shërbimeve gjallërohen për shkak të festave, konsumi po rezulton i dobët, pas masave të reja shtrënguese, duke rrezikuar që për të pestin tremujor radhazi, ekonomia të qëndrojë në territor negativ.

Për 9-mujorin, rënia mesatare e PBB-së sipas të dhënave paraprake të INSTAT është rreth 5.4 për qind, më e larta që prej vitit 1997, por që gjithsesi mbetet më e ulët se skenari më negativ i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 9 për qind.