Udhëzimi i KKRF-së diskriminon kompanitë e huaja të auditimit

0
191

Udhëzimi Nr.01/2019 për Licencimin e Auditorëve Ligjor dhe Firmave Vendore e të Huaja të Auditimit që ka hyrë në fuqi më 24.07.2019, ka ngjallur reagimin e disa prej investitorëve që tashmë veç janë në Kosovë.

Buletini Ekonomik

Nga viti 2020, secila kompani e huaj e auditimit që ia mësyn Kosovës do të përballet me një kriter diskriminues me rastin e regjistrimit në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF).

Ky institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, në vitin 2019 ka nxjerrë një udhëzim administrativ përmes të cilit i obligon kompanitë huaja të auditimit që me rastin e regjistrimit në Kosovë, 51 për qind të aksionarëve t’i kenë vendor.

Udhëzimi Nr.01/2019 për Licencimin e Auditorëve Ligjor dhe Firmave Vendore e të Huaja të Auditimit, i cili ka hyrë në fuqi më 24.07.2019, ka ngjallur reagimin e disa prej investitorëve që tashmë veç janë në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Mospajtimet konsistojnë tek neni 11 i këtij udhëzimi, pika 1.4. Aty kërkohet nga kompanitë e huaja të auditimit që për t’u licencuar në Kosovë duhet të kenë 51 për qind të aksionarëve vendor, apo që 51 për qind e aksionarëve të jenë të licencuar si auditorë nga KKRF-ja.

“Së paku 51% e pronësisë i takon auditorëve ligjor ose firmave të auditimit të licencuara nga autoritetit kompetent në Kosovë”.

Këshilli Kosovar për Raportim Financiar (KKRF), që është sponsorizues i këtij udhëzimi, është përgjegjës për regjistrimin e firmave të auditimit, vendore e të huaja. Në këtë institucion nuk kanë pranuar të japin arsyet e këtij ndryshimi të kritereve.

Ndryshimi i kritereve nuk do të jetë problem vetëm për firmat që vijnë rishtazi në Kosovë. Edhe ato që tashmë veç janë në tregun e Kosovës janë detyruar të bëjnë ndryshime tek struktura e aksionarëve.

Një nga këto është firma ndërkombëtare “Deloitte Kosova”.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, përmes qasjes në dokumente publike në ARBK, del se kjo kompani është detyruar të bëjë ndryshime tek aksionarët për t’iu përshtatur udhëzimit të ri.

Derisa në të kaluarën kompania amë kishte 100 për qind të aksioneve, tashmë aty figurojnë si aksionarë edhe emrat e Albana Shahut dhe Arta-Limani Beqiri. Të dyja kanë 51 për qind të aksioneve të firmës, siç edhe kërkohet me udhëzimin e KKRF-së.

Në Deloitte nuk kanë pranuar t’i komentojnë këto ndryshime në strukturën e aksionarëve.

Mirëpo, jozyrtarisht Buletini Ekonomik mëson se ky kriter ka ngjallur jo pak reagime tek investitorët e huaj në fushën e raportimit financiar. /Buletini Ekonomik/