BPV-ja edhe në tremujorin e fundit shënon rënie për -7.25%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar të dhënat më të fundit të Bruto Produktit Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak. Edhe në tremujorin e fundit të këtij viti, BPV-ja në Kosovë ka shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.

Sipas këtij raporti, BPV-ja në TM3 2020 shënon rënie reale për (-7.25%), krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019).

Aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie më së shumti në këtë tremujor ishin: ndërtimi me -16.77%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore me -16.89%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 3.67%.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë (6.7%); informacioni dhe komunikacioni (3.65%); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (2.81%); artet, argëtimi dhe çlodhja, dhe aktivitete të tjera shërbimi (3.67%); administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia (3.59%); aktivitetet profesionale dhe administrative (3.3%); dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi (0.58%).

Sipas ASK-së, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rënie janë: formimi i bruto kapitalit (-10.18%); eksporti i shërbimeve (-59.62%); dhe  importi i mallrave dhe shërbimeve (-13.51%).

Ndërkohë, rritje në këtë tremujor kishte: eksporti i mallrave (3.55%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (16.92%);  dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (5.99%).

Ndërkaq, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake kishin rritje nominale për 2.53% në TM3 2020,  krahasuar me TM2 të vitit 2020. /Buletini Ekonomik/