​ASK: Deficit më i ulët tregtar në nëntor 2020 në raport me periudhën e njëjtë 2019

Fotografi ilustruese

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2020.

Të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 0.9% në nëntor 2020, në raport me periudhën e njëjtë 2019, gjegjësisht në vlerë 259.9 milionë euro, krahasuar me deficitin 262.2 milionë më 2019. Eksporti mbulon importin me 15 për qind.

Eksporti i mallrave në nëntor 2020 kishte vlerën 45.7 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë që është një rritje 29.4% për eksport dhe 2.7% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.4% e përbëjnë produktet bimore; 4.4% e përbëjnë produktet minerale, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë produktet minerale; 9.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.0% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 16.9 milionë euro, ose rreth 37% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 8.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Italia (11.0%), Gjermania (9.8%), Holanda (4.2%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 139 milionë euro ose 45.5% e importeve të përgjithshme, me një rënie 1.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (13%), Italia (7.3%), Greqia (3.6%), Polonia (3.0%), Sllovenia (3%) etj.

Në nëntor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.1 milionë euro, ose 39.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria (17.8%), Maqedonia e Veriut (10.6%), Serbia (6.5%), dhe Mali i Zi (3.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në nëntor 2020 arritën në 64.1 milionë euro, ose 21% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria (6.6%), Serbia (6.5%) dhe Maqedonia e Veriut (5.5%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë Euro, ose 23.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (10.1%) dhe SHBA (7.5%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 102.4 milionë euro ose 33.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (11.9%) dhe Kina (10.6%).