Varianti i ri i Covid, rritet numri i shteteve që ndalojnë udhëtimet drejt Anglisë

Qarkullimi i një varianti të ri të koronavirusit në Londër dhe në Anglinë juglindore ka bërë që shumë shtete të tjera të vendosin ndalimin e udhëtimeve drejt saj.

Bashkimi Europian do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të diskutuar dhe për të patur një përgjigje të bashkërenduar ndaj variantit të ri.

Gjermania, Franca dhe Italia janë midis atyre vendeve që pezullojnë fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar. Kanadaja po bllokon gjithashtu fluturimet përkohësisht.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se varianti i ri është deri në 70% më i transmetueshëm, por nuk ka prova se është më vdekjeprurës.

Nuk ka gjithashtu asnjë provë për të sugjeruar se ai reagon ndryshe ndaj vaksinave.

Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar Matt Hancock tha se varianti i ri ishte “duke dalë jashtë kontrollit”, ndërsa Danimarka, Italia dhe Holanda njoftuan se tashmë e kishin zbuluar atë edhe në vendet e tyre.

Takimi i Këshillit Europian pritet të zhvillohet në orën 11:00 të paradites. Shpejtësia me të cilën qeveritë kanë njoftuar ndalimet e tyre ndaj udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar tregon shkallën e alarmit, shkruan BBC.

Gjithashtu të hënën, rregullatori i barnave të BE-së pritet të rekomandojë miratimin e vaksinës së koronavirusit Pfizer-BioNTech për përdorim në të gjitha vendet anëtare të unionit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) po takohet një javë më herët për të vendosur mbi vaksinën që tashmë është miratuar për përdorim në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara. Nëse merr dritë jeshile, vaksina mund të fillojë të shpërndahet që të dielën e 27 dhjetorit.

Numri i vendeve që ndalojnë udhëtimet më Britaninë po zgjerohet me shpejtësi.

Në BE, shumë vende, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Danimarkën, Holandën, Irlandën, Austrinë, Portugalinë, Suedinë dhe Belgjikën kanë njoftuar tashmë ndalime të përkohshme të fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar, megjithëse disa vende kanë lejuar transportin e mallrave.

Bullgaria gjithashtu ka pezulluar fluturimet, por ndryshe nga masat afatshkurtra në shumë shtete të tjera, masat e saj do të zgjasin deri më 31 janar.

Turqia dhe Zvicra gjithashtu kanë ndalur fluturimet. Këto masa nuk kanë marrë vetëm vendet europiane. Gjithashtu edhe Kanadaja ka pezulluar hyrjen e të gjitha fluturimeve të pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar për 72 orë, në fuqi nga mesnata (05:00 GMT)

Vende të tjera që vendosin kufizime të reja në udhëtimet në Mbretërinë e Bashkuar përfshijnë Hong Kongun, Izraelin, Iranin, Kroacinë, Argjentinën, El Salvador-in, Kilin, Marokun dhe Kuvajtin.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka pezulluar të gjitha fluturimet ndërkombëtare për një javë për shkak të pandemisë./BBC