Shqipëria me tarifat më të larta në Evropë për studime

Komisioni Europian, nëpërmjet Agjencisë Europiane të Edukimit (EURYDICE) ka publikuar raportin për “tarifat studentore dhe sistemet e mbështetjes 2020-2021”, ku mes vendeve të marra në analizë, veç atyre të Bashkimit Europian, gjendet edhe Shqipëria, së bashku me vendet e tjera kandidate. Nga krahasimi i të dhënave mes vendeve të kontinentit të vjetër, rezulton se tarifat studentore të ciklit të parë në universitetet publike, atë bachelor, në Shqipëri janë më të larta se vende si Gjermania, Polonia, Kroacia, Çekia, Greqia apo Sllovenia si dhë në të njëjtat “ujra” me vende si Portugalia, Franca, Belgjika, Austria, etj. Vendet e rajonit ndërkohë klasifikohen në të njëjtën kategori pagese si Shqipëria, me tarifat që variojnë mes 101-1000 euro, me përjashtim të Malit të Zi ku nuk ka tarifa.

Por ajo që bie tjetër në sy nga raporti i cili ndahet në dy pjesë, ku pjesa e dytë i referohet mbështetjes ndaj studentëve, është fakti se Shqipëria rezulton si vendi me më pak mbështetje ndaj studentëve në Europë, gjë të cilën e ilustron nëj grafik i vetëm. Së pari, klasifikohemi ndër të paktat vendet europiane ku 100% e studentëve paguajnë të paktën 100 euro tarifë vjetore për ciklin bachelor me kohë të plotë. Në pjesën dërrmuese të vendeve europiane kjo normë është nën 100%, duke qenë se shumë studentë marrin mbështetje nga entet publike, në bazë të meritës a nevojës. Veç kësaj, Shqipëria klasifikohet si një vend me 0% grante publike ndaj studentëve. Vetëm 6 shtete të kontinentit të vjetër e kanë zero këtë normë.

Studentëve shqiptarë të ciklit bachelor me kohë të plotë nuk iu ofrohet asnjë bursë në bazë të meritës në universitet publike, ndryshe nga shumë vende europiane, thotë raporti i Komisionit Europian.

Reklama e sponzorizuar

Edhe në mbështetjen ndaj prindërve të studentëve, nëpërmjet reduktimit të taksave apo formave të tjera, si dhe në drejtim të huave studentore, Shqipëria nuk ofron asgjë. Këto të dhëna shqetësuese tregojnë edhe një herë se arsimi i lartë publik në vendin tonë është shumë larg standardit që duhet të jetë, dhe se prezenca e shtetit duket të jetë inekzistente, pasi rezultojmë ndër vendet me tarifat më të larta në Europë, paçka se infrastruktura në arsimin e lartë publik lë shumë për të dëshiruar, në të njëjtën kohë që nuk u ofrojmë asnjë ndihmë financiare studentëve, qoftë me bazë nevojë, qoftë me bazë merite./Scan tv/