Analizë: Europa mbyllet për festa

Vendet e Bashkimit Europian po shtrëngojnë me radhë masat kufizuese nga frika e përhapjes së koronavirusit me rastin e festave të fundvitit.

Holanda është e fundit që njoftoi mbylljen totale me Britaninë e Madhe, ndërsa më herët Italia, Greqia, Gjermania dhe Austria morën masa drastike izoluese.

Vendimet e marra nga këto vende pasuan thirrjen udhëzuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që me rastin e festave edhe në takimet familjare të mbahej maska mbrojtëse e përhapjes së virusit.

Reklama e sponzorizuar
Athinë

Në Greqi, ku sipas hetimeve epidemiologjike të kryera kryesisht në zonën e Selanikut dhe rrethina rezultoi se pjesa dërrmuese e përhapjes së infeksionit ishin vatra familjare, Qeveria ka vendosur masa të reja kufizuese me rastin e festave.

Sipas këtyre masave, orari ndalim-qarkullimit rritet me 11 orë, duke filluar nga ora 18:00 deri në 05:00. Ky kufizim vetvetiu parandalon edhe tubimet dhe grumbullimet familjare që mund të pasojnë festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri.

Romë

Italia ka hyrë e gjitha në karantinë, pas vendimit të Qeverisë për të hequr dorë nga praktika e ndjekur deri më tani për të vendosur masat sipas rajoneve në varësi të përhapjes së virusit. Pas vendimit të Qeverisë “Conte”, tashmë i gjithë vendi është shpallur zonë e kuqe me ndalim-qarkullimi, duke pezulluar të gjitha lëvizjet hyrëse dhe dalëse.

Vjenë

Austria po ashtu pothuajse ka mbyllur plotësisht kufijtë e saj, duke kufizuar edhe mjetet e transportit tranzit, ndërsa Holanda njoftoi mbylljen totale të kufijve me Britaninë e Madhe pas raportimeve për shpërthimin e një mutacionit të ri virusi në Anglinë Jugore, megjithëse autoritetet dhe OBSh ende nuk mund të thonë asgjë për vdekshmërinë e tij.

Londër. Alarmi në maksimum për Covid-19
Amsterdam. Holanda njoftoi mbylljen totale të kufijve me Britaninë e Madhe

Këto janë vendet e BE me masa kufizuese ekstreme, që duke shfrytëzuar periudhën e festave po përpiqen që të ndalin përhapjen e infeksioni. Po në rajon? I vetmi vend që ka dalë me ashpërsim lëvizjes me rastin e festave është Maqedonia e Veriut, duke ndaluar tubimet me rastin e festave.

Intervali kohor i kufizimeve për vendet e BE shkon nga data 10 deri më 18 janar, ndërsa Maqedonia shkon deri më 20 janar. Ajo ndalon organizimin festave të ndryshme në prag të fundvitit, si edhe grumbullimi i personave. Këto masa sipas autoriteteve shëndetësore kanë për qëllim që të shmangin rritjen e numrit të të infektuarve nga Covid-19, në prag të festave të fund-vitit. Masat në fjalë ndalojnë edhe organizime për pritjen e Vitit të Ri në hapësira të hapura dhe të mbyllura nga personat fizik dhe juridik.

Po Shqipëria? Në vendin tonë e vetmja masë e ndërmarrë deri më tani e mbylljes së shkollave në datën 24 dhjetor dhe e hapjes së tyre më 11 janar të vitit tjetër. Sa u përket mbledhjes për festime, në fuqi mbetet ende vendimi i Këshillit të Ministrave që ndalon mbledhjen e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.

Kjo do të thotë se grumbullimi për të festuar familjarisht Krishtlindjet dhe Vitin e Ri lihet në dorë të qytetarëve. Pra, sipas këtij vendimi kufizues, në Shqipëri mund të mblidhen dhe festojnë normalisht të paktën 3 familje.