Dyshime për procesin e privatizimit të IMF-së dhe “Ferronikelit”

Komisioni hetimor për procesin e privatizimit ka intervistuar ish-kryeadministratorin e Kosovës, njëherësh ish-kryetarin e Bordit të AKM-së, Joachim Rucker, si dhe dy përfaqësues të punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj lidhur me procesin e privatizimit. Këta të fundit kanë shpalosur dyshimit e tyre për manipulim në procesin e fabrikës në të cilën kanë punuar. Kanë thënë se ka pasur presion nga AKM-ja për të mos u zbatuar vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj Kushtetuese që u jep të drejtë punëtorëve të kësaj fabrike

Prishtinë, 16 dhjetor –Joligjorë dhe të manipuluar e kanë quajtur procesin e privatizimit të Fabrikës së Tubave në Ferizaj dy anëtarë të sindikatës së punëtorëve të kësaj fabrike.

Gjatë intervistimit nga Komisioni hetimor për procesin e privatizimit, të mërkurën, Ali Shabani, anëtar i Kryesisë së sindikatës, ka thënë se AKM-ja ka bërë presion mbi punëtorët, menaxhmentin e sindikatën për të filluar procesin e privatizimit.

Reklama e sponzorizuar

“Ai nuk ka qenë privatizim, falje e ndërmarrjes. Prej një ndërmarrjeje që 60 për qind i ka mbuluar të hyrat e gjithmbarshme, një nga fabrikat më të njohura është privatizuar për një shumë katostrofale” , ka thënë Shabani.

Nga Zyra ligjore e AKM-së është bërë privatizim jashtëligjshëm dhe janë dëmtuar të drejtat e punëtorëve. S’ka qenë privatizim po falje e fabrikave”.

Edhe ish-punëtori tjetër, Fatmir Hasani, ka thënë se persona të caktuar kanë përfituar nga ky proces dhe se kanë dëmtuar punëtorët.

“Për 912 punëtorë u mbyll dera, për ta i kërkonin të nënshkruanin diçka kinse për të mirën e tyre. Ka pasur manipulime nga njerëz që kanë dashur ta bënin për përfitime të veta privatizimin. AKM ja ka kërkuar që të pranohet se po bëhet për të mirën tuaj”, ka thënë Hasani.

Deputetët kanë kërkuar sqarime lidhur me vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj Kushtetuese lidhur me këta punëtorë.

“Cila është data kur është dhënë vendimi dhe si ka ardhur deri te shitja, çka ndërhyri, kush ndërhyri. Tenderimi, ofertuesit dhe pastaj edhe përmbushja e kushteve të spin-off special dhe të drejtat e punëtorëve”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati.

Për këto Shabani ka thënë se ka pasur aktgjykim, por që s’është marrë parasysh. Ka thënë se më 2017 kanë bërë kallëzim penal ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa, por që nuk kanë informacione çfarë ka ndodhur me këtë kallëzim.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kishin qëndruar me muaj të tërë në grevë para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por pa rezultat.

Ndërkohë ata i janë drejtuar edhe Gjykatës Supreme për përsëritjen e procedurës së përfunduar me aktvendimin e 10 dhjetorit 2019, me anë të së cilës kjo gjykatë kishte refuzuar propozimin për lejimin e vazhdimit të procedurës së ndërprerë të përmbarimit.

Ndërkohë në pjesën e dytë është intervistuar ish-kryeadministratori Joachim Rucker përmes platformës zoom, i cili është pyetur rreth privatizimit të Fabrikës së Feronikelit në Drenas, me një çmim më të ulët sesa oferta tjetër.

Ai ka mohuar se ka njohuri për ndonjë aferë korruptive në këtë proces.

“Në bazë të asaj që ju po thoni, pasi që nuk mund të konfirmoj, se çmimi tjetër ishte më i lartë. Por çfarë mund të konfirmoj është se ajo që ne kemi bërë është ashtu siç veprojmë çdoherë. Nuk ishte vetëm kriteri i çmimit, por edhe kritere të tjera, përfshirë të tilla si fuqia financiare, reputacioni dhe gjithçka tjetër”, ka thënë Rucker.

Në vitin 2006 kundër vullnetit dhe rezistencës së punëtorëve dhe popullit u privatizua fabrika e “Ferronikelit” në Drenas.