Ndikimi potencial i Brexitit pa marrëveshje

Darka e kryeministrit britanik, Boris Johnson me shefen e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen të mërkurën – me qëllim të thyerjes së bllokadës së shkaktuar për Brexit – ka përfunduar pa marrëveshje.

Von der Leyen ka thënë se të dyja palët janë ende “shumë larg”, derisa Zyra e kryeministrit britanik ka thënë se “dallime të thella janë ekzistente”.

Bisedimet në mes të negociatorit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Frost dhe atij të bllokut evropian, Michel Barnier, do të rinisin në Bruksel më vonë.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab ka thënë se ka pak mundësi që negociatat të shtyhen përtej të dielës.

Të enjten, Bashkimi Evropian ka prezantuar planet eventuale në rast se dështojnë bisedimet me Britaninë e Madhe për të arritur marrëveshje pas Brexitit.

Planet synojnë të sigurojnë lidhje bazike tokësore dhe ajrore mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe të lejojnë mundësinë e peshkimit në ujërat e njëra-tjetrës.

Mbretëria e Bashkuar është larguar nga blloku evropian në janar të vitit 2020, mirëpo një periudhë tranzitore 11-mujore u ka mundësuar të dyja palëve që të negociojnë për marrëveshje.

Të dyja palët kanë kohë deri më 31 dhjetor për të arritur marrëveshje për tregti, meqë pas asaj date Britania ndalon së aplikuari rregullat e BE-së për çështje tregtare.

Darka e së mërkurës është konsideruar si mundësi e fundit për tejkaluar dallimet e thella që ekzistojnë mes palëve.

Mirëpo, teksa palët kanë edhe pak kohë, këtu gjeni disa fusha, ku potencialisht mund të ketë dështime, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Funta

Investitorët dhe bankat kanë parashikuar se mosarritja e marrëveshjes për tregti, do të godiste funtën britanike.

Kjo për shkak të faktit se në kohën e mbajtjes së referendumit në Britani për largim nga BE-ja më 2016, funta britanike kishte rënë për 8 për qind kundrejt dollarit, duke shënuar rënien më të madhe brenda një dite, prej periudhës së tregjeve të luhatshme të këmbimeve më 1970.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Tregtia

Në rast se nuk ka marrëveshje për tregti, Britania do të humbë brenda natës qasjen në kuotat zero që ka aktualisht në tregun e përbashkët evropian me 450 milionë konsumatorë.

Për pasojë, Britania do t’iu kthehet kushteve të Organizatës Botërore për Tregti, kur të kontaktojë me bllokun evropian prej 27 anëtarëve.

Më pas, Mbretëria e Bashkuar do të vendosë tarifa globale në importet e BE-së, derisa kjo e fundit do të aplikonte tarifat e jashtme në importet britanike.

Barrierat tarifore mund të ndikojnë në kryerje të tregtisë mes dy palëve, derisa çmimet pritet të rriten për konsumatorët dhe bizneset britanike.

Në kufij pritet të ketë rrëmujë, sidomos në pikat kryesore kufitare.

Ekspertët thonë se është e mundshme që Britania madje të përballet edhe me mungesë të disa ushqimeve, meqë importon 60 për qind të ushqimit të freskët.

Çfardo çrregullimi do të ndihej më së shumti në sektorët që varen nga zinxhirët e furnizimit, përfshirë ata të automobilave, të ushqimit dhe pijeve.

Sektorë tjerë që mund të preken nëse nuk arrihet marrërveshje janë: tekstili, ilaçet, produktet kimike dhe ato të naftës.

Bashkimi Evropian ka qenë partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe, gjegjësisht përgjegjës për 47 për qind të tregtisë së përgjitshme më 2019.

Edhe nëse arrihet marrëveshje, Britania pret që mijëra kamionë të vendeve të BE-së, të presin në Kent, me vonesë prej dy ditësh.

Sektori i automobilave

Ndikimi në këtë sektor do të ishte tejet i vërejtshëm si në Britani, ashtu edhe në BE, meqë prodhuesit britanikë të makinave mund të përballen me 10 për qind tarifa në të gjitha eksportet e makinave në BE dhe deri në 22 për qind në kamionë nëse nuk arrihet marrëveshje, kanë thënë 23 asociacione të industrisë së makinave.

Ato po ashtu kanë thënë se kjo gjë do të ndikojë në rritje të çmimeve për konsumatorët, duke parashikuar 57.7 miliardë euro shpenzime shtesë për fabrikat e BE-së dhe 52.8 milionë euro për fabrikat britanike.

Në Britani, Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Motorëve, ka thënë se Brexiti “pa marrëveshje” do të zvogëlonte prodhimin e makinave britanike për 2 milionë njësi në pesë vjetët e ardhshëm, dhe do të dëmtonte kapacitetet për të zhvilluar gjeneratë të re të makinave me zero- emetim.

Ekonomia

Ndikimi afatgjatë i ndarjes pa marrëveshje do të ishte i madh, për të dyja palët.

Zyra e Britanisë për Përgjegjësi Buxhetore, ka parashikuar se mungesa e marrëveshjes për tregti do ta pengonte prodhimin shtesë britanik për 2 për qind, çka më pas do të nxiste inflacion, papunësi dhe borxh publik.

Sipas kësaj Zyre, kryerja e tregtisë sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, do të godiste disa pjesë të ekonomisë, siç është prodhimi, të cilat edhe ashtu janë dëmtuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas një studimi ekonomik të kryer nga Allianz në muajin nëntor, një ndarje e ashpër, do t’i kushtonte BE-së më shumë se 33 miliardë dollarë në eksporte vjetore, derisa Gjermania, Holanda dhe Franca do të dëmtoheshin më së shumti.

Përveç tyre, edhe vende tjera të BE-së do të preken nga një mundësi e tillë, duke përmendur sidomos, Holandën, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Suedinë, Portugalinë, Poloninë, Republikën Çeke, Qipron, Maltën dhe Hungarinë.

Instituti për Kërkime Ekonomike Halle, ka parashikuar se kompanitë e BE-së që eksportojnë në Britani, do të mund të humbin më shumë se 700,000 vende të punës nëse nuk arrihet marrëveshje tregtare.

Profesoresha Hylke Vandenbussche, në Universitetin Leuven të Belgjikë, ka thënë në një raport vitin e kaluar se Belgjika do të preket më së keqi në rast të këtij skenari, për shkak të madhësisë, sektorit të ushqimit dhe për pasojë 10,000 persona do të mund të humbin vendet e punës.

Irlanda Veriore

Të dyja palët dëshirojnë të shmangin një kufi të ashpër në mes të provincës britanike të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, që është në BE.

Zbatimi i protokollit të Irlandës Veriore, që është pjesë e marrëveshjes për largim të Britanisë nga BE-ja më 31 janar, do të komplikohej në rast të mosarritjes së pajtueshmërisë për tregti.

Sipas traktatit, Irlanda Veriore është pjesë e tregut të përbashkët të BE-së edhe pas 31 dhjetor, për dallim nga Mbretëria e Bashkuar.

Shenjë kundër Brexitit në Irlandën Veriore.
Shenjë kundër Brexitit në Irlandën Veriore.

Saktësisht se si do të kryen kontrollohet apo si do të organizohen dokumentet në mes të Britanisë dhe Irlandës Veriore, nuk dihet ende.

Mirëpo pa marrëveshje tregtare, ndarja mes këtyre vendeve do të bëhet edhe më e madhe.

Brexiti pa marrëveshje do t’i mundësonte Irlandës Veriore që të jetë derë e pasme në tregun e përbashkët të BE-së, duke ngritur kështu mundësitë për kufi të ashpër në ishullin e Irlandës, për herë të parë, prej nënshkrimit të marrëveshjes për paqe më 1998.

E ashtuquajtur, Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka përfunduar tri dekada të dhunës sektare në mes të protestantëve që kanë favorizuar vazhdimin e rregullit britanik dhe nacionalistëve katolikë irlandezë që dëshirojnë një Irlandë të bashkuar.

Keqardhja

Të dyja palët ka mundësi që të fajësojnë njëra-tjetrën nëse shkaktohet kaos si pasojë e mungesës së marrëveshjes tregtare, apo nëse Evropa do të ndahej ndërkohë që përballet me sfidat e Kinës në rritje, qëndrimeve ruse dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Keqardhje do të kishte edhe brenda vetë BE-së, e cila do të humbte një nga fuqitë lidere në Evropë për ushtri dhe inteligjencë, ekonominë e dytë më të madhe dhe kryeqytetin e vetëm financiar që është rival i Nju Jorkut.

Kjo gjë do ta bënte Britaninë shumë më të varur nga lidhja që e ka me Shtetet e Bashkuara.

Qyteti i Londrës

Kryeqyteti financiar ndërkombëtar është gati për Brexit, meqë një marrëveshje tregtare nuk do të mund të mbulonte kurrë industrinë më konkurrente të Britanisë.

Teksa shumica e bankave dhe investitorët kanë gjetur mënyra për largim nga blloku, ndikimi afatgjatë i Brexitit mund të jetë i paparashikueshëm dhe BE-ja mund të tentojë të grabisë më shumë në tregjet e aksioneve nga Londra.

Londra është qendra e tregjeve të huaja në botë me 6.6 trilionë dollarë në baza ditore, çka përbën 43 për qind të qarkullimit global.

Konkurrenti më i madh brenda BE-së është Parisi me 2 për qind.

Kryeqyteti britanik është edhe qendër globale për tregti të euros, gjë që potencialisht mund të shkaktojë kokëdhimbje për Bankën Qendrore Evropiane.