Balaj: Punëtorët pa paga, Qeveria dëshiron ta falimentojë Telekomin

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se gjendja në Telekomin e Kosovës nuk është e mirë, dhe se momentalisht nuk ka pasur ndonjë përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

Balaj në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se për shkak se kanë rënë të hyrat dhe sidomos bllokimi dy herë i llogarive nga Z-mobile, e ka shkaktuar një kaos të madh në Telekomin e Kosovës.

Ai thotë se punëtorët e Telekomit ende nuk kanë marrë pagat si pasojë e mungesës së mjeteve në xhirollogaritë e Telekomit, mirëpo shpreson se deri në javën e dytë të dhjetorit do t’i marrin ato.

Reklama e sponzorizuar

“Ne jemi në situatë pandemie, është data 6 dhe nuk i kemi marrë pagat, ndërsa në çdo moment jemi të rrezikuar, sidomos nga bankat komerciale në Kosovë. Unë besoj se deri më datën 10 dhjetor do të dalin pagat, ndoshta më së largu deri të premten. Qeveria, sipas informatave që kemi, ka bërë marrëveshje me ish kompaninë Z-mobile, ndërsa neve na ka lënë në baltë dhe nuk është zgjidhje që ne të luftojmë vetëm për pagat tona”, ka thënë Balaj.

Balaj ka thënë se Telekomin e kanë shkatërruar institucionet shtetërore dhe se përgjegjësinë për ta nxjerrë Telekomin prej krize e ka Qeveria e Kosovës, mirëpo, sipas tij, ata nuk janë duke e marrë këtë përgjegjësi dhe se kjo më shumë është një lojë që Telekomi i Kosovës të dërgohet drejt falimentimit.

“Telekomin e kanë shkatërruar vet institucionet e shtetërore, domethënë njerëzit e partive të tyre e kanë shkatërruar Telekomin. Përgjegjësinë për me e nxjerrë Telekomin prej krize e ka Qeveria, ata duhet ta marrin përgjegjësinë, sepse siç dukët është një lojë që të na dërgojnë drejtë falimentimit dhe ndoshta ndokujt t’i thotë merre Tekelekomin sepse nuk kemi mjete, sepse i konvenon ndokujt ashtu ”, ka thënë Balaj.

Ai shtoi se Qeveria Kosovës qëllimisht po tenton ta shkatërrojë Telekomin.

“Qeveria si duket vet qëllimisht po donë me e shkatërrua Telekomin, po pranon borxhe të cilat nuk ekzistojnë, po pranon borxhe të arbitrazheve të ndërtuara mbi afera korruptive dhe nuk po bënë padi ndaj një kompanie e cila i ka shkaktuar dëme mbi 200 milion Telekomit të Kosovës dhe buxhetit të shtetit, po sa më shpejt po tenton t’ia jap mjetet të cilat i ka fituar mbi afera korruptive në arbitrazhin ndërkombëtarë”, ka thënë Balaj.

E në rast se do të bllokohen prapë xhirollogaritë, Balaj ka thënë se nuk do të ketë më greva dhe protesta, mirëpo, shtoi se do të merren hapa edhe më rigoroz, sepse nuk do të mundet askush të luaj me ndjenjat e punëtorëve dhe familjeve të tyre.