Të rinjtë dhe tregjet

Në mbrojtje të investitorëve të rinj. Ata po e përmirësojnë botën e financave

Zakoni i të moshuarve për t’u ankuar për marrëzitë e të rinjve është po aq i lashtë sa vetë civilizimi. “Rinia pa mjekër… nuk parashikon se çfarë është e dobishme, dhe i shpërdoron paratë më kot,” tha poeti i njohur Horac, në vitin 15 para Krishtit, shkruan The Economist.

Këtë vit, profesionistët me flokë të thinjur të Wall Street janë bezdisur nga entuziazmi i investitorëve të rinj të aksioneve, të cilët janë përpjekur të përfitojnë nga tregjet në kohë karantine. Të rinjtë e fiksuar pas ekraneve u dyndën drejt Hertz – kur ky i fundit shpalli falimentimin.

Reklama e sponzorizuar

Ata rritën aksionet e Nikola, një prodhues kamionësh elektrikë që më vonë pranoi se e kishte lënë një prototip të rrëzohej poshtë një kodre gjatë një “demonstrate” sepse nuk mund të vetëfurnizohej me energji. Mund të duket sikur mësimi i vetëm është si të mos investosh. Megjithatë, të rinjtë po ndryshojnë mënyrën e funksionimit të financave dhe shpesh për mirë.

Çdo brez lë gjurmët e tij, por ata të moshës 56-74 vjeç, të njohur si baby-boomers, patën ndikim të madh në tregjet e kapitalit të Amerikës. Falë rritjes së fortë ekonomike, rritjes së çmimeve të aseteve dhe pensioneve të majme, ata kanë grumbulluar kursime të larta financiare – mesatarisht rreth 600,000 dollarë, të ruajtura në llogaritë e pensionit dhe mjete të tjera për aksione dhe bono.

Industria e menaxhimit të pasurive është ndërtuar rreth këtij mali parash. Specialistët drejtojnë pensione, ofruesit e indeksit si Vanguard mundësojnë tashmë gjurmimin e tregut edhe gjatë kohës së dremitjes, dhe menaxherët e pasurisë ofrojnë shërbim të personalizuar dhe përfitime për të pasurit. Nuk është çudi që numri i vendeve të punës në financa është rritur me 31% që nga viti 1990.

Në një pamje të parë, nuk duket se të rinjtë kanë para të mjaftueshme për të rimodeluar Wall Street. Ata nën 35 vjeç, kanë mesatarisht vetëm 35,000 dollarë në asete financiare dhe ata që kanë lindur midis viteve 1981 dhe 1996, zotërojnë vetëm 7% të të gjitha pasurive të tilla në Amerikë, shumë larg shifrës prej 26% që brezi “boomer” kishte grumbulluar në një moshë të ngjashme dhe se niveli 50% që ata zotërojnë tani. Duke u përballur me dy kriza ekonomike në rreth një dekadë, të rinjtë kanë më pak të ngjarë se paraardhësit e tyre për të pasur një shtëpi ose një makinë.

Megjithatë, kjo situatë do të ndryshojë ndërkohë që të rinjtë i afrohen kulmit të fitimeve dhe brezi i moshuar del në pension dhe vdes. Në vitet e fundit, grumbullimi i fondeve të pasurive të patundshme ka qenë relativisht i vogël, me rreth 1.3 trilionë dollarë çdo pesë vjet, ose 5% e pasurisë totale në Amerikë. Ky ritëm pritet të dyfishohet në një dekadë ose më shumë, ndërkohë që personat e brezit “boomer” fillojnë t’ua kalojnë pasurinë fëmijëve. Deri në vitin 2042, brezi “millenial” pritet të kenë trashëguar afërsisht 22 trilionë dollarë.

Të rinjtë gjithashtu i përdorin prej kohësh teknologjitë e reja dhe filozofitë e investimeve. Në Amerikë, rrjetet e pagesave dixhitale, si Venmo dhe Zelle, dominohen nga përdorues të rinj, ndërkohë që të moshuarit ende janë të varur nga çeqet. Huabei, një shërbim kredie i prezantuar në Kinë në vitin 2014 nga Ant Group, një firmë teknologjike, tani ka një grup të gjerë përdoruesish – pionierët ishin njerëz të rinj që nuk mund të merrnin karta krediti ose hua bankare.

Kursimtarët e rinj amerikanë i përdorin me kënaqësi këshilltarët robotë, të cilët automatizojnë investimet. Ndërkohë që teknologjia ka ulur koston e tregtimit, është bërë më e lehtë dhe më e lirë për ta që të tregtojnë asete aktive. Përkrahësit kryesorë të bumit të investimeve të qëndrueshme, që ka prekur menaxherët e aseteve, janë ata të moshës 24-39 vjeç. Më shumë se dy të tretat e këtyre kursimtarëve të rinj thonë se janë shumë të interesuar të kenë një ndikim pozitiv social dhe mjedisor me investimet e tyre, krahasuar me rreth gjysmën e popullsisë së përgjithshme.

Disa firma të mëdha financiare janë të ndërgjegjshme për ndryshimin e ardhshëm. Vitin e kaluar, Morgan Stanley bleu Solium, një kompani start-up, që menaxhon opsionet e aksioneve dhe kapitalit, kryesisht për punëtorët e rinj të teknologjisë. Goldman Sachs bleu United Capital, një firmë këshilluese për investime, mjaft popullore me profesionistët e rinj.

Por një pjesë e madhe e industrisë financiare, ende e dehur nga shumat kolosale të brezit “boomer”, është e papërgatitur. Nëse ato firma dëshirojnë të qëndrojnë në biznes, në vend që të qeshin me brezin e ri që eksperimenton me financat, duhet të mbajnë shënime.