Minatorët pa paga, në Trepçë nuk është duke punuar askush

Në ndërmarrjen Trepça, ka disa ditë që nuk po punohet. Punëtorët nuk kanë marrë pagën e tetorit, duke lënë në punë vetëm personat që punojnë në objekte vitale.

Gjatë ditës, përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve, Këshillit të Grevistëve, e ushtruesi i detyrës së drejtorit të ndërmarrjes, Hysni Vrajolli, takuan ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçi, i cili ua bëri disa premtime.

Ka 12 ditë që punëtorët e ndërmarrjes Trepça nuk e kanë marrë pagën e muajit Tetor. Shkak janë bërë borxhet e shumta të trashëguara, të cilat i ka thelluar edhe më tepër kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Reklama e sponzorizuar
https://youtube.com/watch?v=y9zIUmrrlTM%3Fstart%3D1074%26feature%3Doembed

Kështu, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kombinatit, Gani Osmani, tregon se në Trepçë nuk është duke punuar askush.

“Në Trepçë nuk është duke punuar askush, vetëm objektet vitale. Dmth pompat, mirëmbajtja elektrike, mirëmbajtja e pompave, sepse ato duhet edhe në gjendje lufte me punu, sepse miniera mbytet në ujë nëse nuk punojnë pompat, çdo grevë, çdo protestë ato punojnë pa ndërprerë, punëtorët ndërrohen në vende të punës edhe ata e kuptojnë, ata janë me neve mirëpo i kuptojnë gjërat që duhet me punu sepse në ato vende nuk bën pa punuar”, deklaroi Gani Osmani për RTV Dukagjinin.

Osmani, bashkë me këshillin grevist e me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të ndërmarrjes, Hysni Vrajolli, u takuan gjatë ditës me ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçi.

“Ministri e premtoi një shumë prej 250 mijë deri në 300 mijë euro. Mirëpo, shuma të cilën e premtoi ministri, ajo është vetëm për me e stopu përmbaruesin se përmbaruesi na ka hip në kokë dhe nuk po na len me ec përpara. Me stopu përmbaruesin me ato para për një kohë të shkurtë, mirëpo diku 1.3 ose 1.4 kushtojnë pagat për Stan Tërg”, deklaroi Ragip Istrefi.

Nëse qeveria nuk përmbushë kërkesat e minatorëve, drejtori Vrajolli thotë se greva vazhdon.

“Ai na premtoi se 300 mijë euro i ka të gatshme mundet me na i qitë edhe për 800 mijë euro duhet me dërgua në qeveri me u miratua për me na i qitë për me i kalua pagat e tetorit. Do të thotë është për një ndihmë emergjente. Nëse nuk e përmbushë minatorët vazhdojnë grevat edhe nuk di se çka bëhet më tutje”, thotë Hysen Vrajolli.

Xhirollogaritë e ndërmarrjes u bllokuan nga përmbaruesi në fund të muajit të kaluar, për shkak të borxheve ndaj furnizuesve./RTV Dukagjini/