Rikthimi i karantinës, goditje për sektorin privat

Masat e reja qeveritare për një mbyllje të dytë mund ta përmbysin ekonominë e vendit tonë.

Kështu po paralajmëron eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, i cili thotë se nuk duhet të merret hapi i mbylljes totale, por duhet të merren hapa të tjerë që të shpëtohet ekonomia, raporton KosovaPress.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu duke thënë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje e alternativa, shpreh frikën se rritja e numrit të papunësisë dhe numri i madh i bizneseve të falimentuara do të jetë “bombë e fuqishme sociale”.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk duhet gjithmonë të mendohet vetëm për tkurrje dhe mbyllje, në rend të parë duhet të analizohen se cilat janë alternativat. Është e vërtet që ne të gjithë jemi për shëndetin e qytetarëve dhe për mbrojtjen e tyre, mirëpo si mund të kemi mbrojtje të qytetarëve dhe mbyllje. Në Kosovë do të kemi një numër shumë të madh të papunëve, do të kemi mbyllje të bizneseve ‘bomba e kurdisur sociale’ do të jetë edhe më e acaruar. Prandaj, në këtë drejtim besoj që duhet të mendohet fare mirë para se merren vendimet të cilat kishte me qenë grushti më i madh dhe më i rrezikshëm që kishte me iu dhënë sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik”, thotë Gërxhaliu.

Numri i atyre që kanë humbur vendet e punës në pandemi, Gërxhaliu thotë se ka arritur në rreth 50 mijë, këto shifra sipas tij, do të jenë alarmante.

“Në Kosovë mungojnë të dhënat zyrtare sa i përket efekteve negative të pandemisë COVID-19. Mirëpo, parashikimet janë vetëm të evidentuara apo të regjistruar në byrotë për punësim që tani janë afër 46 mijë qytetarë që kanë humbur punën. Numri i tyre është shumë më i madh kur dihet që ka pasur informalitet në sektorin privat, sidomos në dy sektorë kyçë, siç është gastronomia dhe ndërtimtaria. Prandaj, çdo shifër mbi 70 mijë të papunë është alarmante për Kosovën”, thekson ai.

Ndërsa, Qeveria është mbledhur në mënyrë virtuale dhe në çdo moment pritet të miratohen masat e reja kufizuese për mbrojtje nga Covid-19. Numri i të prekurve me koronavirus është tejet i lartë në ditët e fundit mbi 700 brenda 24 orëve.