Kosova në Samitin e Sofjes nënshkruan deklaratën për tregun e përbashkët rajonal dhe atë për agjendën e gjelbër

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marr pjesë në Samitin e Sofjes që është vazhdimësi e Procesit të Berlinit, ku temë ishte tregu i përbashkët rajonal.

Gjatë këtij samiti, Kosova së bashku me vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata, atë për tregun e përbashkët rajonal dhe për agjendën e gjelbër.

Me këtë rast, Hoti tha se janë duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.

Reklama e sponzorizuar

“Besoj që sot jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi. Është e qartë se Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal stimulon rritjen, shton konkurrencën dhe investimet e huaja në rajon, duke shpejtuar konvergjencën tonë në drejtim të Bashkimit Evropian. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë. Më lejoni të theksoj se Zona Ekonomike Rajonale, në asnjë mënyrë nuk është alternativë për integrimin evropian”, tha Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas nënshkrimit të dy deklaratave – atë për tregun e përbashkët rajonal dhe për agjendën e gjelbër

Për shkak të pandemisë COVID-19, takimi ishte virtual, ku përveç përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit, morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.