Kërkesa të shumta për punime diplome me pagesë

Në institucionet e arsimit të lartë asnjëherë nuk ka qenë më lehtë për të diplomuar. Mjafton të paguash nga 120 deri në 350 euro dhe brenda pak ditësh e ke të gatshëm punimin e diplomës. Studentëve që janë në prag të diplomimit këtë mundësi po ua ofrojnë faqe të shumta në rrjete sociale.

Në faqen “Punime diplome”, duhet paraprakisht të bësh rezervim për shkak të kërkesave të shumta. Drejtues të saj kanë konfirmuar për KOHËN se brenda një jave i pranojnë nga 50 deri në 100 kërkesa. Në përgjigjen e tyre thuhet se janë një ekip prej 20 vetash që merren me punimet e të gjitha drejtimeve, përveç atij të gazetarisë. Këtë punë kanë thënë se po e bëjnë tash e 5 vjet.

E shuma që fitojnë brenda një muaji, sipas kësaj faqeje, shkon nga 10 deri në 15 mijë euro. Megjithatë, ata nuk po e konsiderojnë këtë veprimtari të kundërligjshme, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Studentë që kanë kontaktuar këtë faqe i kanë thënë KOHËS se ekipi “Punime diplome” për 120 euro ua përgatit temën për nivelin Bachelor, kurse për 350 euro për nivelin Master. Por, ka raste kur bëjnë edhe zbritje.

“Nëse e vendosë vëllai me bo temën, ty ta boj me 100 euro, vëllait me 330 euro total. Për sa më lajmëron, se kam kërkesa, ta di”, i është përgjigjur kjo faqe një studenteje.

Sipas prorektores për mësim dhe çështje të studentëve në UP, Mimoza Ibrani, deri më tani njësitë akademike nuk kanë raportuar ndonjë problem të kësaj natyre.

“Forma e tillë është e papranueshme, e dënueshme me rregulloret aktuale, dhe mendoj që diçka që vlerësohet shumë është integriteti akademik dhe ndershmëria akademike. Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është i përkushtuar t’i luftojë dukuritë e tilla joetike dhe posa të raportohen raste të tilla do të adresohen bazuar në rregullativën aktuale të cilën e kemi në fuqi”, ka thënë ajo.

Ibrani ka thënë se universiteti nuk mund të marrë përgjegjësi për organizimin e veprimtarive të tilla, meqë ato i trajtojnë organet kompetente që funksionojnë në Republikën e Kosovës. Ajo ka treguar se disa njësi akademike tashmë kanë nisur praktikimin e asaj që studenti para se të diplomojë të nënshkruajë deklaratën për ndershmëri akademike që punimi i tij është origjinal dhe i kryer nga ai.

Neni 134 i Statutit të UP-së parasheh që Senati, me arsye dhe argumente të forta si dhe me rekomandim të rektorit, mund t’ia heqë titullin bartësit për falsifikim apo mashtrim gjatë vlerësimit ose provimit, plagjiaturë apo shkelje të të drejtës së autorit në përgatitjen e diplomës apo të punimit tjetër me shkrim dhe praktikë tjetër joetike.

Me shitjen e punimeve të diplomave është i njoftuar edhe Parlamenti Studentor, përfaqësues të të cilit e cilësojnë këtë dukuri të papranueshme. Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, thotë se kjo ndikon direkt edhe në uljen e cilësisë në arsim.

“Si Parlament Studentor, zotohemi që do t’i njoftojmë të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës dhe do të nxjerrim në takimet tona konsultative këtë diskutim për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e mirë”, ka thënë ai.

KOHA kishte raportuar për këtë dukuri edhe në janar të vitit të kaluar. Pas kësaj, Prokuroria kishte nisur hetime.

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka thënë se vitin e kaluar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka trajtuar këtë informatë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka arrestuar 2 persona me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrim dhe falsifikim dokumenti”. Sipas Policisë, lënda është dërguar në Prokurori.

E Prokuroria Themelore, në një përgjigje të shkurtër me shkrim, ka thënë se ndaj këtyre dy personave kanë pushuar hetimet pa dhënë më shumë detaje, derisa nuk është përgjigjur nëse ka nisur hetime për ndonjë rast të ri.