Gjobitet kompania “Limak” për mungesën e trajnimeve të duhura për stafin

Problemet me sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të identifikuara ndër vite kanë përfunduar me një ndëshkim prej 10 mijë eurosh për kompaninë “Limak”, e cila e menaxhon Aeroportin.

Një inspektim i Autoritetit Civil të Kosovës ka gjetur se stafi i “LIMAK”-ut ka mungesë të trajnimit bazik për sistemin e menaxhimit të sigurisë, mungesë e trajnimeve për ndihmën e parë dhe fikjen e zjarrit.

Raporti të cilin e ka siguruar KOHA shpjegon se stafi kanë mungesa në trajnime për ndërgjegjësimin e personelit të kontraktorëve dhe përdoruesve të tjerë të Aeroportit për sigurimin dhe sigurinë.

Reklama e sponzorizuar

Inspektorët e AAC-së kanë gjetur se nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm të stafit të “Limakut” kur bëhet fjalë për trajnimet për mallrat e rrezikshme.

Më tutje, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil kanë identifikuar mungesën e aftësive për stafin, i cili është i përfshirë më operim, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aerodromit.

Në këtë raport komisioni për shqyrtimin e shkeljeve administrative i ka përmendur dy incidente, të cilët sipas autoritetit kanë mundur të rrezikojnë sigurinë e operimeve.

Një kalim i paautorizuar i shtegut për taksim kishte ndodhur nga një automjet në gusht të vitit 2019 dhe po ashtu një në vitin 2018 kishte ndodhur kur personeli i paautorizuar ishte parë në shtegun për taksim.

Sipas këtij komisioni, serioziteti i shkeljeve është i lartë pasi që angazhimi i vazhdueshëm i personelit në detyra operative pa kryerjen e të gjitha trajnimeve të kërkuara, ka mundur dhe në disa raste ka ndikuar në uljen e nivelit të sigurisë së shërbimeve të ofruara nga “LIMAK” e si pasojë ka ndikuar në uljen e nivelit të sigurisë së operimeve në aviacion.

Autoriteti i Aviacionit Civil përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se kjo gjobë i është caktuar pasi operatori “Limak” ka vërtetuar se mosmbajtja e rregullt e trajnimeve ka qenë e natyrës së vazhdueshme, gjatë 4 vjetëve të fundit.

“Gjoba administrative i është shqiptuar operatorit LKIA për arsye të gjetjeve të konstatuara nga inspektorët e AAC-së gjatë auditimeve/inspektimeve në periudhën kohore prej vitit 2017 deri më 2020. Këto gjetje kanë të bëjnë me mungesën e trajnimeve të personelit në LKIA sipas programit të aprovuar të trajnimeve të LKIA-së dhe angazhimin e këtij personeli në detyra operative me ndikim në siguri. Operatori veç ka marrë masa për të adresuar dhe korrigjuar gjetjet e ngritura, por kjo ka qenë larg respektimit rigoroz të programeve të aprovuara të trajnimeve, nuk ka ulur nivelin e ashpërsisë së shkeljeve dhe për këtë arsye Komisioni ka vendosur për shqiptimin e gjobës administrative”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Ndërsa, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës përmes një përgjigje me shkrim shkurtimisht ka thënë se nuk ka arritur t’i mbajë disa trajnime për shkak të rrethanave të krijuar nga pandemia.

“Aeroporti i Prishtinës ka humbur disa trajnime për shkak të çështjeve të trajnerëve te shkaktuara nga pandemia. Gjoba është përafërsisht 10.000€ bazuar ne rregulloren e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Aeroportit.

Derisa nuk ka dhënë përgjigje nëse ka rrezikuar sigurinë e operimeve me këto gjetje të inspektorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil.