Projektligji për krijimin e Gjykatës Komerciale brenda muajit nëntor pritet të dërgohet në Qeveri

Në fillim të muajit nëntor pritet që Ministria e Drejtësisë ta përcjell drejtë Qeverisë së Kosovës Projektligjin për krijimin e Gjykatës Komerciale. E komunitetit i bizneseve në Kosovë themelimin e kësaj gjykate e vlerëson si shumë të rëndësishme për Kosovën, pasi ajo do të rriste efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi ka deklaruar se tashmë Projektligji është në fazën finale dhe shpejt pritet të dorëzohet për miratim.

“Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kemi themeluar një grup punues të cilin e udhëheqë unë si zëvendësministër i Drejtësisë, i cili ka shqyrtuar Projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale jemi në fazën finale të shqyrtimit të këtij Projektligji brenda MD-së dhe jemi duke pranuar vërejtjet dhe sugjerime të ndryshme nga individ dhe organizata të ndryshme që kanë interes sa i përket këtij procesi. Do kemi vetëm edhe një shqyrtim bashkë sa i përket këtij Projektligji me gjithë atë që kemi marr në formë të propozimeve nga organizata dhe besoj shumë shpejt brenda muajit nëntor ose thënë në mirë në pjesën e parë të muajit nëntor do i përcillet Qeverisë së Kosovës për aprovim”, tha Dushi për KosovaPress.

Reklama e sponzorizuar

Dushi beson se kjo formë e këtij Projektligji do gjejë mbështetjen e duhur edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Duke e vlerësuar si të rëndësishëm nga pjesa politike edhe nga bizneset në Kosovë, unë konsideroj se ky ligj do gjej mbështetjen e nevojshme në fazën kur do trajtohet dhe vendoset në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi ai.

E ky lajm është mirëpritur nga odat të cilat mbështesin dhe trajtojnë problemet e bizneseve në vend.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi deklaroi për KosovaPress, se ekziston presioni nga ana e bizneseve që kjo gjykatë të hapet.

Ai thotë se mungesa e një gjykatë të tillë që trajton problemet ekonomike e ka dëmtuar klimën e të bërit biznes në vend, por edhe e ka penguar ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Për Krasniqin themelimi i Gjykatës Komerciale nënkupton siguri më të madhe për bizneset vendore por edhe ato të huaja.

“Është presioni i bizneseve që të hapet përsëri Gjykata Komerciale, për arsye se ka vonesa ekstreme të lëndëve me vite të tëra dhe si nevojë e saj sot klima e të bërit biznes është shumë e dobët dhe e pengon edhe ardhjen e investitorëve por edhe punën e bizneseve tona në Kosovë, për shkak të vonesave të mëdha në procedura. Ne kemi kërkuar që përveç Gjykatës të emërohen edhe gjykatës të mjaftueshëm që kanë mundësi t’i kryejnë procedurat më shpejt. Në aspektin e sigurisë do rriste efikasitetin e institucioneve të Kosovës dhe institucionet do dilnin në pozitë më të mirë, por edhe në aspektin e bizneseve do e rriste edhe sigurinë e investimeve në Kosovë, sepse mos ekzistimi është i kësaj është duke e zvogëluar sigurinë dhe rreziku është shumë më i madh tek ne si rezultat i vonesave dhe mos ekzekutimit të lëndëve nga ana e institucioneve të Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Ai tha se si OAK ka kërkuar të jenë rreth 40 gjykatës brenda këtij organi gjykues me qëllim që procedurat e lëndëve të ecin më shpejt dhe mos të shkaktohen vonesa.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se vonesat në kontestet e natyrës biznesore e kanë shtuar nevojë për një trup të veçantë gjyqësore që do merrej me problemet ekonomike.

Ai kërkon që në këtë Gjykatë të jenë njerëz profesionistë dhe të mjaftueshëm në numër, ndërsa thotë se kjo do ndikonte në rritjen juridike në përgjithësi për të bërë biznes në vend.

“Duke i pasur parasysh që vonesat në trajtimin e lëndëve të natyrës dhe respektivisht të kontesteve të natyrës ndërbiznesore është e nevojshme që të ekzistoj një trupe e veçantë gjyqësore e cila do i trajtoj këto konteste ose këto raste të natyrës komerciale e cila e ka numrin e mjaftueshëm të gjykatësve në njërën anë dhe në anën tjetër këta gjykatës ta kenë edhe profesionalizmin e duhur për të trajtuar edhe kontestet më të komplikuara ndërbiznesore të natyrës komeraciale. Gjykata Komerciale do të ofronte siguri më të madhe juridike jo vetëm për investitorët e brendshëm, jo vetëm për ndërmarrjet që tashmë operojnë në Kosovë, por edhe për investitorët e jashtëm. Do të rritej shpejtësia e trajtimit të lëndëve, do rritej profesionalizmi i aktvendimeve gjyqësore, rrjedhimisht edhe profesionalizmi i këtyre kontesteve komerciale dhe do ndikonte në rritjen juridike në përgjithësi për të bërë biznes në vend”, u shpreh Zeka.

Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatat, Departamenti për Çështje Ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.