Çfarë mendojnë qytetarët për karantinimin e Prishtinës?

Nga ora 20:00 e kësaj të premteje e deri të hënën në orën 5:00 të mëngjesit Prishtina do të jetë në karantinë.

Rritja drastike e numrit të infektimeve me virusin COVID-19 ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që gjatë fundjavës të ndalojë hyrje-daljet në kryeqytet dhe në 6 komuna të tjera ku gjendja me koronavirus është më e rëndë.

Sipas njoftimit nga Ministria, lëvizja gjatë kësaj periudhe kohore u lejohet: personelit shëndetësor dhe personelit të sigurisë; qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale, ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë.

Reklama e sponzorizuar

Lëvizja u lejohet edhe operatorëve ekonomikë dhe transportit të lirë të mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit; kompanive ndërtimore dhe operatorëve që kryejnë punë publike.

Disa qytetarë e kanë parë të nevojshme një masë të tillë.

Paraprakisht, Qeveria përmes një vendimi ka ndaluar veprimtarinë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Kosovës prej orës 18:00 nga kjo e premte deri të hënën.

Ky vendim parasheh edhe pezullimin e transportit publik dhe atë privat, duke përfshirë autobusët, kombit dhe taksitë.

Pas këtij vendimi, “Trafiku Urban” në Prishtinë ka konfirmuar se nga ora 19:30 ka larguar autobusët nga qarkullimi, për t’i kthyer sërish të hënën nga ora 6:00 e mëngjesit.

Ndërsa vendimi parasheh të lejohet puna e furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve, institucioneve shëndetësore publike dhe atyre private për nevoja mjekësore.

Puna i lejohet edhe veprimtarisë për prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale; veprimtarisë për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID-19; operatorëve ekonomikë dhe transportit të mallrave apo shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.

Vendimin për mbylljen e bizneseve e jo edhe të kufijve e ka kritikuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka akuzuar Qeverinë se nuk është konsultuar me komunat.

“Mbyllja e krejt bizneseve përderisa kufijtë janë të hapur veçse është motiv për qytetarët tonë me ia mësy Tiranës e Shkupit që nuk e kanë gjendjen fare më të mirë se ne. Informimi i kryetarëve të komunave dhjetë minuta para publikimit në media nuk është konsultim”, ka thënë Ahmeti.

Vetëm gjatë kësaj jave Prishtina ka regjistruar 1248 raste pozitive me virusin COVID-19.