U bllokohen llogaritë, punëtorët e Telekomit mbajnë protestë

Punëtorët e Telekomit kanë protestuar para objekteve kryesore të Telekomit në të gjitha qendrat e Kosovës për shkak të bllokimit të xhirollogarive, me ç’rast janë tërhequr të gjitha mjetet financiare nga ish-kompania “Dardafon”.

Protestë ata kanë mbajtur edhe te zyrat qendrore të Prishtinë.

Përderisa punonjësit, Menaxhmenti dhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, përmes një letre publike i janë drejtuar organeve të larta shtetërore dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, lidhur me pasqyrimin e gjendjes tejet kritike dhe emergjente të krijuar pas bllokimit dhe tërheqjes së mjeteve nga llogaritë bankare.

Reklama e sponzorizuar

“Dëshirojmë që të informojmë me saktësi të gjithë akterët dhe drejtuesit shtetërorë mbi situatën reale që po zhvillohet nëTelekomin e Kosovës, përkitazi me momentin e ndjeshëm të kërcënimit dhe rrezikimit potencial të vijimësisë së ofrimit të pandërprerë të shërbimeve të komunikimeve elektronike për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si dhe subjektet e tjera që përdorin shërbimet telekomunikuese, situatë e cila është krijuar pas bllokimit të llogarive bankare”, thuhet në letrën e Telekomit.

“Vazhdimi i kësaj gjendje të rënduar në Telekomin e Kosovësduke i shtuar edhe situatën e pandemisë së Covid-19, në çdo moment sipas tyre mund të shkaktojë rrethanën e padëshiruar të një dëmi të pariparueshëm për organet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë institucionet e sigurisë së lartë nacionale, të atyre emergjente, shëndetësore si dhe të një varg institucione dhe subjekte tjera, ngase kjo situatë mund të rezultojë me ndërprerjen e funksioneve të Telekomit të Kosovës për shkak të pamundësisë për të operuar dhe funksionuar në kushtet e tanishme të bllokimit të llogarive bankare”.

“Andaj, ftojmë institucionet përgjegjëse shtetërore, që sa më parë, të punojnë në ofrimin e zgjidhjes së kësaj situate të ndjeshme dhe në përkrahje dhe shpëtimin e ndërmarrjes shtetërore me interes vital, strategjik, ekonomik e social”, thuhet në fund të letrës.