IKD: DKR-të të pasuksesshme në konfiskimin e pasurive të kundërligjshme

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin “Krimet e rënda në Kosovë – 2019”. Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë të departamenteve për krime të rënda (DKR) në sistemin e drejtësisë, ku përfshihen 2,228 seanca gjyqësore të monitoruara nga IKD me gjithsejtë 806 raste me 1,870 persona të akuzuar.

Sipas këtij raporti del që DKR ka qenë e pasuksesshme në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme.

“Sa i përket konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, prej 806 rasteve të monitoruara gjatë vitit 2019, IKD gjen se Prokurori i Shtetit kishte paraqitur kërkesë për sekuestrim në vetëm 68 raste, ndërsa në 738 raste nuk kishte paraqitur kërkesë. Sa i përket konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, më 10 janar 2019 ka hyrë në fuqi Ligji nr.06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Në këtë drejtim, mbi 17 muaj pas miratimit të këtij ligji, ai është aplikuar vetëm në një rast nga PSRK, e dhënë që pothuajse e klasifikon këtë ligj si të mirë në letër, por të pazbatuar në praktikë”, thuhet në raportin e IKD-së.

Reklama e sponzorizuar

Komunikata e plotë e IKD-së:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin “Krimet e rënda në Kosovë – 2019”. Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë të departamenteve për krime të rënda (DKR) në sistemin e drejtësisë, ku përfshihen 2,228 seanca gjyqësore të monitoruara nga IKD me gjithsej 806 raste e 1,870 persona të akuzuar.

Gjatë monitorimit të DKR-ve të gjykatave themelore, IKD ka gjetur se numri i lëndëve të zgjidhura që nga viti 2016 e deri në fund të vitit 2019 ka rënë vazhdimisht. Paradoksalisht, ulja e numrit të lëndëve të zgjidhura ka shkuar paralelisht me shtimin e numrit të gjyqtarëve. Pra, përderisa ideja e shtimit të numrit të gjyqtarëve është rritja e efikasitetit në kuptim të numrit të lëndëve të zgjidhura, e kundërta ka ndodhur në DKR-të e gjykatave të Republikës së Kosovës. Këtë fakt, në KGJK e kanë arsyetuar me faktin se disa lëndë janë më komplekse dhe disa lëndë mund të kryhen më shpejt, si dhe me ndikimin që ka mundur ta kenë ndryshimet legjislative pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal.

Sa i përket parashkrimit të rasteve në DKR-të e gjykatave, IKD gjen se në vitin 2019 ka një rënie të kësaj dukurie, derisa nisur nga natyra e rasteve që trajtohen në këtë departament, numri i rasteve të parashkruara është ende i lartë. Sipas statistikave zyrtare të KGJK-së, gjatë vitit 2018 ishin parashkruar gjithsej 52 raste në DKR-të e shtatë gjykatave themelore (46 parashkrim absolut, 6 parashkrim relativ), derisa në vitin 2019 janë parashkruar 39 raste (21 parashkrim relativ, 18 parashkrim absolut) apo 13 raste më pak se në 2018. Edhe pse sistemi gjyqësor vazhdimisht deklarohet se i trajton me prioritet rastet e korrupsionit, IKD ka gjetur se edhe në vitin 2019 janë parashkruar 7 raste të korrupsionit, për dallim nga viti 2019 kur ishte parashkruar një lëndë më shumë, përkatësisht 8 lëndë të korrupsionit.

Sa i përket sistemit prokurorial, mënyra e paraqitjes së statistikave në raportet zyrtare të këtij sistemi pamundëson trajtimin e trendit të efikasitetit të DKR-ve të prokurorive themelore, derisa nga të dhënat e paraqitura shihet se ndonëse prokurorët kanë arritur që gjatë katër viteve me radhë të zgjidhin lëndë më shumë se sa që kanë pranuar, shqetësuese vazhdon të mbetet numri i lëndëve që trashëgohen vit pas viti në DKR-të e prokurorive themelore, dhe qasja e sistemit prokurorial përkitazi me këto lëndë. Po ashtu, sistemi prokurorial nuk posedon, apo të paktën nuk ka ofruar, të dhëna lidhur me numrin e rasteve të parashkruara në sistemin prokurorial.

IKD në këtë raport ka analizuar edhe performancën individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shprehur në mesatare të numrit të lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e gjyqtarëve, i bie se gjatë vitit 2019, secili gjyqtar ka zgjidhur mesatarisht nga afërsisht 32 lëndë në vit, apo një (1) lëndë më shumë se sa norma orientuese për gjyqtarët e DKR-ve, e përcaktuar nga KGJK. Ndërsa, sipas raportit vjetor të Prokurorit të Shtetit, prokurorët e DKR-ve gjatë vitit 2019 kanë zgjidhur mesatarisht nga 65.29 lëndë ose 2.71 lëndë nën normën e përcaktuara me udhëzim.

Ndërsa, nëse analizojmë punën individuale të secilit gjyqtarë, atëherë shohim se ka një disbalanc të theksuar në mes numrit të lëndëve të zgjidhura, ku ka gjyqtarë që brenda një viti kanë zgjedhur 102 lëndë, derisa ka edhe gjyqtarë të tjera që brenda një viti nuk kanë arritur as normën orientuese për gjyqtarë të DKR-ve, të përcaktuar nga KGJK. Ndërsa, për dallim nga KGJK që ka dëshmuar transparencë përmes publikimit të këtyre raporteve, KPK nuk ka dhënë qasje në këto të dhëna.

Sa i përket mënyrës së zgjidhjes, IKD gjen se gjatë vitit 2019, dënimi më i shpeshtë i shqiptuar nga DKR-të e gjykatave themelore ka qenë dënimi me burgim efektiv, pasuar nga dënimi me gjobë dhe ai me kusht. Ndërsa, sa i përket mënyrës së zgjidhjes së lëndëve në sistemin prokurorial, shumica e tyre janë zgjidhur duke ngritur aktakuza.

Në trajtimin e rasteve në DKR si sfidë vazhdon të mbetet kohëzgjatja e procedurave gjyqësore, ku në të paktën tri (3) raste, IKD ka gjetur se që nga ngritja e aktakuzës e deri më 31 dhjetor 2019 kanë kaluar mbi nëntë (9) vite. Krahas të tjerave, kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore i kontribuon edhe praktika e kthimit të rasteve në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, e cila gjatë vitit 2019 ka kthyer në rigjykim gjithsej 464 raste gjyqësore që trajtohen në DKR.

Sa i përket konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, prej 806 rasteve të monitoruara gjatë vitit 2019, IKD gjen se Prokurori i Shtetit kishte paraqitur kërkesë për sekuestrim në vetëm 68 raste, ndërsa në 738 raste nuk kishte paraqitur kërkesë. Sa i përket konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, më 10 janar 2019 ka hyrë në fuqi Ligji nr.06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Në këtë drejtim, mbi 17 muaj pas miratimit të këtij ligji, i njëjti është aplikuar vetëm në një rast nga PSRK, e cila e dhënë e pothuajse e klasifikon këtë ligj si të mirë në letër, por të pazbatuar në praktikë.

Krahas të tjerave, IKD ka identifikuar raste kur të pandehurit i janë shkelur të drejtat kushtetuese. Përderisa në një (1) rast ishte bërë presion ndaj të pandehurit për ta pranuar fajësinë, në rastin tjetër i akuzuari është mbajtur mbi katër (4) vite në një procedurë penale, me anë të një aktakuze të ngritur pas afatit ligjor. Në një rast tjetër, IKD ka gjetur se i pandehuri është arrestuar dhe dënuar, pas rihapjes së kundërligjshme të procedurës gjyqësore, në të cilin rast, Prokurorja e Shtetit me anë të rikualifikimit të aktakuzës, kishte shkelur parimin e ndalimit të veprimit retroaktiv të ligjit.

Në këtë raport, IKD ka dhënë edhe 18 rekomandime, disa prej të cilave janë: 1) KGJK dhe KPK të bëjnë një analizë gjithëpërfshirëse të ngarkesës së DKR-ve me lëndë, në mënyrë që të kenë mundësi të ndërmarrin hapa për stabilizimin e këtyre departamenteve, veçanërisht sa i përket lëndëve të cilat barten vit pas viti, 2) Për të shmangur parashkrimin, si dhe për të respektuar të drejtën e të pandehurve për gjykim në kohë të arsyeshme, Gjykata e Apelit në rastet kur ia mundëson ligji, të vendos në mënyrë meritore dhe lëndët mos të kthehen në rigjykim, ashtu që të mos krijohet “ping-pong” gjyqësor, 3) Për rastet e lejuara me ligj, Prokurorët të aplikojnë Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë etj.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e IKD-së “Krimet e Rënda në Kosovë – 2019”.