Kosova nënshkruan dy marrëveshje në Samitin Dixhital të Ballkanit në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka përfaqësuar Kosovën në Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor, që këtë vit u mbajt në Tiranë, nisëm e cila realizohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit Shumëvjeçar të Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike.

Samiti u hap nga komisionarët e Bashkimit Evropianë, Thierry Bretton dhe Mariya Gabriel, sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Në këtë samit përveç fjalimeve të ministrave, janë nënshkruar edhe dy memorandume mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Reklama e sponzorizuar

“Memorandum i Mirëkuptimit për Udhërrëfyesin e 5G për Transformimin Dixhital në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Memorandum i Mirëkuptimit për Interoperabilitetin dhe Shërbimet e Besimit Rajonal në Rajonin e Ballkanit Perëndimor”, janë dy memorandumet që u nënshkruan në këtë samit.

Sipas një komunikate, thuhet se ministri i këtij dikasteri Blerim Kuçi në fjalimin e tij ka potencuar punët që po bën Qeveria e Kosovës për të qëndruar në hap me botën teknologjike në aspektin e infrastrukturën dhe hapësirës së krijuar nga institucionet.

“Ne e mbështesim Agjendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor dhe duke shfrytëzuar momentin e imponuar nga kriza e COVID-19, mendojmë që bashkërisht mund të gjejmë zgjidhje që nëpërmjet TIK-ut të tejkalohen elementet e caktuara të krizës që njëkohësisht do të kenë ndikim në transformimin digjital”, ka thënë Kuçi.

Ajo që Kosova realisht ka arritur në këtë sektor dhe që ministri Kuçi i prezantoi para homologëve rajonal dhe komisionerëve evropianë janë: mbulimi deri në fund të vitit 2020 të të gjitha zonave të bardha me fibër optik, krijimin e Zyrës së Kompetencës për Broadband, Rrjetin Nacional për Hulumtim dhe Edukim që do të integrohet në rrjetin Pan-Evropian GÉANT, Atllasin elektronik brezgjerë për infrastrukturën, shërbimet dhe investimet në rrjetet e komunikimeve elektronike, avancim në 5G dhe memorandumet e nënshkruara për autostradën 5G, krijimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Prishtinë dhe Qendrën e Ekselencës Dixhitale në Prizren.

Në margjina të takimit, ministri Kuçi shfrytëzoi rastin të takohet edhe me delegacionet e vendeve fqinje, duke folur për bashkëpunimet bilaterale dhe shkëmbimin e përvojave të mira.