Mungesa e njoftimit për punime, problem për qytetarët

Të shpeshta kanë qenë punimet gjatë muajve të fundit në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit.

Bashkë me këto punime janë bllokuar edhe rrugë, sidomos në procesin përfundimtar, shtrimin e asfaltit, transmeton KOHA.

Ankesë kryesore e qytetarëve përpos zvarritjes së punimeve nga kompanitë është edhe mungesa e njoftimeve nga Komuna për pjesët në të cilat punohet.

Reklama e sponzorizuar

Thonë se Komuna do të duhej të përdorte metoda të ndryshme për t’i lajmëruar qytetarët kur një rrugë bllokohet për shkak të punimeve.

Pasi që sipas tyre jo secili përdor rrjetet sociale si mjet informimi.

Megjithatë, të tjerë qytetarë thonë se përkundër mungesës së njoftimeve nga Komuna me rëndësi për ta është që punët të kryhen shpejt dhe me rregull.

Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres thotë se komuna rëndësi u kushton lajmërimeve zyrtare për projekte më madhore.

Por, thotë se lë për të dëshiruar efekti që këto lajmërime kanë te qytetarët.

Ai shton se Komuna duhet të punojë edhe më shumë në rritjen e transparencës ndaj qytetarëve dhe të shfrytëzojë çdo lloj mjeti për të lajmëruar rreth punimeve në kryeqytet, duke përdorur edhe video materiale apo përmes mediave.

Për këtë çështje, zyrtarë komunalë përmes telefonit kanë thënë se Komuna vazhdimisht publikon njoftime për çështje të tilla, si nëpërmjet rrjeteve sociale dhe uebfaqes së tyre ashtu edhe përmes mediave.