Sindikata e Re e KEK-ut paralajmëron greva pas pezullimit të konkursit, kritikon Qeverinë

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut, ka paralajmëruar greva pas pezullimit të konkursin për pranimin e 171 punëtorëve, derisa ka kritikuar edhe Qeverinë për veprimet e fundit.

“Të gjitha qeverisjet në Kosovë që nga paslufta e deri më tani asnjëherë nuk kanë punuar për zhvillimin e kompanive publike, madje vetëm sa kanë arritur për t’i falimentuar siç po ndodh kohëve të fundit me Telekomin dhe tash kanë filluar përgatitjet për falimentimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, marrë parasysh shkarkimet e tri bordeve të njëpasnjëshme vetëm gjatë vitit 2020”, thotë Llumnica, transmeton KOHA. “Tani kur Korporata Energjetike e Kosovës ka në mungesë mbi 1000 punëtorë pezullohet konkursi për pranimin e punëtorëve të rinj madje pas testimit të tyre që vërtetë është e palogjikshme dhe maltretim ndaj qytetarëve që kanë konkurruar dhe tashmë testuar”.

Ai shton se përveç se është maltretim për këta qytetarë KEK rrezikon të jetë në mungesë të madhe të punëtorëve ku mund të rrezikohet edhe procesi i prodhimit me energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

“Si duket partive politike iu ka mbetur vetëm edhe KEK-u për ta shkatërruar pasi që tashmë kanë shkatërruar pothuajse të gjitha kompanitë publike. I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës boll ma me lojëra lejona të prodhojmë dritë për Kosovën. I bëjmë thirrje bordit të KEK-ut që t’i stimulojë punëtorët e KEK-ut ashtu sikur punëtorët shëndetësor marrë parasysh mungesën e punëtorëve dhe rrezikun për shëndetin e tyre në ketë kohë pandemie”, ka thënë Llumnica. “Përndryshe ne jemi të detyruar t’i realizojmë kërkesat tona përmes veprimeve sindikale deri të greva”.

Bordi i përkohshëm i KEK-ut rekomandon pezullimin e konkursit për 171 vende pune

Bordi i përkohshëm i KEK-ut ka rekomanduar pezullimin e konkursit për pranimin e 171 punëtorëve të rinj, i cili ishte hapur më 14 shtator.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut, i kryesuar nga Musa Misini, me drejtorët Petrit Ibraj, Fadil Hoxha e Fatime Grajqevci ka mbajtur mbledhjen e parë zyrtare me ç’rast janë njoftuar nga u.d. kryshefi ekzekutiv Luigj Imeri për objektivat dhe sfidat e korporatës.

“Në takimin e sotëm, Bordi i Përkohshëm ka rekomanduar pezullimin e konkursit përkohësisht deri në analizimin më të detajuar të skemës funksionale organizative”, thuhet në komunikatë, transmeton KOHA.

Tutje thuhet se në mbledhjen e ardhshme të rregullt të caktuar për 30 tetor Bordi i përkohshëm pritet të diskutojë buxhetin për vitin 2021, draft planin e strategjisë së KEK-ut 2021-2025, si dhe planin afarist.