Bankat e shtrënguan kredidhënien në kohën e pandemisë

Pas ndaljes së aktivitetit ekonomik në Kosovë për më shumë se dy muaj shkaku i pandemisë, të hyrat e bizneseve u ndalën, ndërkaq obligimet ndaj institucioneve kredituese mbetën.

Përveç aplikimeve për shtyrje apo ristrukturim të kredive që e kishte mundësuar BQK-ja në kohën e pandemisë për shtyerjen e afatit të pagesave të kësteve të kredisë për tre muaj, të dhënat e sistemit bankar në vend tregojnë se ka rënie të kredive të reja për 48 përqind, si dhe ngritje të depozitave.

“Në tremujorin e dytë, shuma e kredive të reja ishte 48 përqind më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar” thuhet në raportin e GAP.

Reklama e sponzorizuar

Kreditimi ishte reduktuar në të gjithë sektorët me përjashtim të atij bujqësor, i cili pati një rritje të lehtë prej dy përqind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019.

Por, GAP vlerëson se vazhdimi i kredidhënies në këto rrethana të krizës është i domosdoshëm në mënyrë që të mundësohet stimulimi i konsumit të ekonomive familjare dhe investimet në sektorin privat.

Megjithatë GAP gjithashtu thotë se fakti se bankat komerciale janë likuide dhe me kapital të lartë mund të jetë i pamjaftueshëm që ato të vazhdojnë kreditimin në muajt në vazhdim kur edhe pritet që gjëndja e sektorit privat të vështirsohet edhe më shumë.

E gjithë kjo, pasi bankat mund të vlerësojnë se ekziston një ambient i rrezikshëm për ofrim të kredive të reja dhe si rezultat i kësaj, ato do të reduktojnë kreditë e reja edhe më shumë.

Në këtë situatë, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) mund të luajë një rol kyç në marrjen përsipër të një pjese të rrezikut dhe të mundësojë vazhdimin e kredidhënies, thonë nga GAP.

“Fonde të ngjajshme u treguan efektive në shumë vende të botës gjatë krizës globale financiare” thuhet tutje në raport.

Faktikisht, në tremujorin e dytë të këtij viti, numri dhe shuma e kredive të garantuara nga FKGK kishte pësuar rënie të konsiderueshme. Por mbështetja e FKGK-së është propozuar edhe në pakon e dytë përmes projketligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Falë grantit të KfW-së, këtë vit FKGK do të ketë edhe 6.5 milionë euro më shumë për të zgjeruar kapitalin e saj garantues.

Mirëpo, sipas GAP-it për të përballuar kërkesën e bizneseve për kredi të reja gjatë thellimit të krizës ekonomike, kërkohet rritje edhe më e lartë e këtij fondi./Buletini Ekonomik/