Zotimi i Hotit se nuk ka ulje të pagave, reagojnë Sindikatat

Pagat e shërbyesve civil nuk duhet, por as nuk guxojnë që të zvogëlohet tha kryetari i Sindikatës së këtij sektori, Muresel Zymebri.

Ai madje nuk po e konsideron lajm, zotimin e kreut të Qeverisë Avdullah Hoti se pagat e shërbyesve civil nuk do të preken.

Sipas tij,  pagat duhet të rregullohen njëherë e mirë me ligjin e pagave. Tutje, ai tha se kjo kategori e punëtorëve në vazhdimësi është lënë pas dore nga qeveritë e deritanishme.

Reklama e sponzorizuar

“Ne nuk frikohemi që do të ketë ulje të pagave për faktin se kjo nuk mund të ndodhë. Cila është logjika të mendohet edhe në këtë situatë përderisa shërbyesit civil presin që pozita e tyre për sa i përket pagave të rregullohet njëherë e mirë me Ligjin e Pagave i cili ligj pothuajse është i përfunduar”.

“Në pika të caktuara kemi pasur vërejtjet që Avokati i Popullit e dërgoi në Gykatën Kushtetuese dhe tani që gjykata i ka dhënë vlerësimet e veta që qeveria e ka shumë më të lehtë për ta proceduar edhe një herë në Kuvend këtë ligj dhe të kalojë dhe të ngrisin paga atyre që iu konvenon”.

Zymberi theksoi se ulja e pagave nuk mund të zvogëlojë varfërinë, por Qeveria duhet të ketë planet e në mënyrë që ta nxjerrë vendin nga kriza.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të themi se me ulje të pagave mund të zvogëlohet varfëria ose do të ndihmohet rimëkëmbja ekonomike sepse Qeveria duhet të ketë planet e veta makro-ekonomike që mund të nxjerrë vendin nga kriza e jo duke i ulur pagat sepse nëse e kërkon nevoja janë vet shërbyesit civil që do të deklarohen që edhe pa paga mund të punojnë një muaj, dy apo tre”.

“Sepse kur deshën të ngrisin pagat i ngritën në sektorë të caktuar i lanë shërbyesit civil anash. Tash të mendohet të preket paga e shërbyesve civil kjo në asnjë mënyrë nuk do të jetë e pranueshme dhe thellësisht e kundërshtueshme”.

Edhe pse nga zyrtarë të Ministrisë së Financave është paralajmëruar ulja e pagave në sektorin publik, shkaku i situatës me pandeminë.

Por, kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, raporton EO.

“Nuk do t’i prekim pagat në sektorin publik, për shkak se është ndërtuar një kornizë e qëndrueshme e buxhetit”.