Gjysma e punëve do të kryhet nga makineritë deri në vitin 2025

Gjysma e detyrave të punës do të kryhet nga makineritë deri në vitin 2025, parashikon një raport i Forumit Ekonomik Botëror.

“Revolucioni robot” do të krijojë 97 milionë vende pune në të gjithë botën, por do të shkatërrojë pothuajse po aq, duke i lënë disa komunitete në rrezik, thekson raporti.

Sipas tij, punët rutinë ose manuale në administrata dhe në përpunimin e të dhënave janë më të kërcënuarat nga automatizimi.

Reklama e sponzorizuar

Por, thuhet në raport, vende të reja pune do të hapen për këshillim, komunikim, vendimmarrje dhe ekonomi të gjelbër.

Hulumtimi i Forumit Ekonomik Botëror ka përfshirë 300 nga kompanitë më të mëdha në botë, të cilat punësojnë tetë milionë njerëz në të gjithë botën.

Më shumë se 50% e punëdhënësve të anketuar kanë thënë se presin që të shpejtohet automatizimi i disa roleve në kompanitë e tyre, ndërsa 43% kanë thënë se ndjejnë se do të mbyllen vende pune për shkak të teknologjisë.

Forumi Botëror Ekonomik tha se pandemia e koronavirusit e ka përshpejtuar miratimin e teknologjive të reja, pasi firmat kanë bërë përpjekje t’i zvogëlojnë shpenzimet dhe të gjejnë mënyra të reja të punës.

Forumi Botëror Ekonomik tha se, aktualisht, rreth një e treta e detyrave të punës kryhet nga makineritë, ndërsa pjesa tjetër nga njerëzit, por deri në vitin 2025 “ky ekuilibër do të ndryshojë”.