Arrestohet një kosovar në Shqipëri pasi i ofroi policit 20 euro ryshfet

Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën ka parandaluar një rast të mitëdhënies (rryshfet).

Një 28-vjeçar nga Kosova, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore është vënë në pranga.

Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë patrullimit në autostradën Milot-Morinë, ka konstatuar dhe ndëshkuar 38 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, gjatë kontrolleve është evidentuar dhe ndëshkuar edhe një rast i tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur masës administrative dhe konkretisht në Fushë Milot, punonjësit e Policisë Rrugore kanë konstatuar një parakalim të gabuar nga një drejtues automjeti duke rrezikuar përfshirjen në aksident rrugor.

Gjatë momentit që punonjësit e Policisë po i kontrollonin dokumentacionin dhe po i komunikonin shkeljen dhe masën administrative drejtuesit të mjetit “Audi”, shtetasit Gj. T., 28 vjeç, banues në Kosovë, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu dhënë një kartëmonedhë 20 euro.

Punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin e këtij shtetasi në DVP Lezhë dhe në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë bërë arrestimin 28-vjeçarit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të kufizojnë shpejtësinë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, por të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore./Tch