Ia mori 800 euro për t’ia kryer testin e gjuhës gjermane

I akuzuari për mashtrim, Anton Markaj, është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog.

Markaj ka thënë se ndihet fajtor për rastin e ndodhur, duke shtuar se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Ndërkaq, pas kësaj, palët kanë dhënë fjalën përfundimtare të tyre, ku prokurori Muharrem Bajraktari, i ka propozuar gjykatës që pranimi i fajësisë, pendimi i tij dhe mos bashkëngjitja e të dëmtuarit në ndjekjen penale të të pandehurit, këtij të fundit t’i merren si rrethana lehtësuese tek matja e dënimit.

Reklama e sponzorizuar

“Nga pranimi i fajësisë së bërë nga i akuzuari dhe po ashtu nga provat vërtetohet se i njëjti e ka kryer veprën penale e cila i bie në barrë. Kërkoj nga gjykata që të njëjtin ta shpall fajtor për veprën e cila i bie në barrë, ta dënoj sipas ligjit. Po ashtu i propozoj gjykatës që ndaj të njëjtit të shqiptoj një dënim me gjobë efektive në proporcion me veprën e kryer dhe rrethanat e kryerësit, si dhe një dënim me burgim me kusht si preventiv për të ardhmen”, ka thënë prokurori Bajraktari.

I dëmtuari Ramiz Bajramaj, në fjalën përfundimtare ka thënë, se nuk kërkon që i pandehuri të ndiqet penalisht, duke shtuar se kërkon që t’i bëhet kompensimi i dëmit të pësuar si rezultat i veprimeve të pandehurit.

Ndërkaq i pandehuri, Anton Markaj në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptoi një dënim sa më të lehtë.

“Unë jam i gatshëm që ashtu siç vendos gjykata që t’i bëjë kompensimin e dëmit të dëmtuarit të pësuar si rezultat i veprimeve të mia. Po ashtu i premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do të merrem me këso veprash penale”, ka thënë Markaj.

Pas kësaj, gjykatësi Arben Mustafaj, tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 tetor 2020 nga ora 10:00.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 16 shkurt 2020, Anton Markaj akuzohet për veprën penale “mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria pretendon se i pandehuri më 22 prill 2019, në fshatin Gurrakoc të Komunës së Istogut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, e ka mashtruar të dëmtuarin Ramiz Bajramaj, duke e nxitur atë që të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri rrejshëm i ka thënë të dëmtuarit, se në qoftë se paguan shumën prej 800 euro, shoqes së djalit të tij Shemsije Bajramaj do t’ia kryej testin e gjuhës gjermane për vizë në ambasadën e shtetit të Gjermanisë.

Në aktakuzë thuhet se, i dëmtuari të pandehurit fillimisht ia jep shumën prej 100 euro për kursin e gjuhës gjermane, 400 të tjera për garantimin e suksesit, e më pas edhe 400 të tjera pas përfundimit të testit, mirëpo siç thuhet aty, edhe përkundër kësaj, shoqja e djalit të dëmtuarit nuk e kalon testin, për çka edhe i pandehuri nuk u lajmërohet më atyre. /BetimipërDrejtësi/