Murati: Projektligji për heqjen e homologimit do të hidhet sërish në votim, kjo zhvatje duhet të ndalet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, në një paraqitje direkte për emisionin “Frontal” në T7, ka potencuar se Projektligji për heqjen e homologimit të automjeteve do të hidhet sërish në votim, derisa t’i marrë votat e nevojshme.

Deputeti Murati vlerëson se arsyeja pse nuk u votua sot projektligji ka të bëjë me kapjen që iu është bërë institucioneve të shtetit dhe disa partive politike.

“Ideja e projektligjit ka qenë edhe kërkesë e qytetarëve që të hiqet dhe ndalohet zhvatja prej 4 milionë eurove në vit që iu bëhet qytetarëve. Gjatë seancës kemi parë disa arsyetime se është projektligj me një nen, aty është esenca me u bë më i qartë, nuk ka vend për interpremtime apo keqkuptime, është një nen që e heq homologimin”, tha Murati në “Frontal”.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se projektligji në fjalë do të hedhet sërish në votim sepse sipas tij kjo zhvatje duhet ndalur.

“Projektligjji do të hidhet sërish në seancë, derisa t’i marrë votat. Çdo muaj vonesë u kushton qytetarëve me 300 mijë euro në muaj apo 4 milionë euro në vit. Është vetëm kompania EuroLab që e ka monopolin, ka pas edhe peticion për këtë cështje…Kjo zhvatje duhet të ndalet”, tha ai ndër të tjera.