Projektet miliardëshe të Washingtonit në duart e zyrtarëve që dyshoheshin për korrupsion

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka formuar një ekip 6-anëtarësh për koordinimin e aktiviteteve për t’i realizuar projektet në bazë të zotimeve të Qeverisë së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruara muajin e shkuar në Washington.

Dy nga anëtarët e ekipit ishin të akuzuar për abuzim me detyrën e dy të tjerë janë aktivistë të LDK-së në pushtet, së cilës i përket edhe ministri Abrashi e edhe kryeministri Avdullah Hoti, raporton KOHA.

Mbështetur në vendimin që Abrashi e ka firmosur më 25 shtator, ekipi do të kryesohet nga Ramë Qupeva, ndërsa anëtarë do të jenë: Burim Krasniqi, Shqipe Hyseni, Flutura Fera, Xhemë Veseli dhe Saranda Jusufi.

Reklama e sponzorizuar

“Ekipi … ka për detyrë që në koordinim me institucionet përkatëse të linjës, t’i përgatisë dokumentet e nevojshme për realizimin e projekteve dhe të afateve për zbatimin e tyre, në përputhje me kompetencat e Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në vendim, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA. “Ekipi … do të shërbejë si pikë kontaktuese me akterët relevantë në bazë të marrëveshjes, në lidhje me realizimin e Projekteve”.

Kryesuesi Ramë Qupeva është drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Ai bashkë me Xhemë Veselin, drejtor i Transportit Rrugor, nën ndërmjetësimin amerikan, në muajin shkurt kishin firmosur në Berlin letrat e interesit për projekte hekurudhore e autostrada me Serbinë. Albin Kurti, që kishte marrë detyrën e kryeministrit pak ditë para kësaj ngjarjeje, pati theksuar se këta zyrtarë nuk kishin marrë autorizim nga Qeveria e re, as për të negociuar e as për t’i nënshkruar marrëveshjet.

Qupeva nuk ka treguar nëse, prej që është formuar ekipi, ka mbajtur ndonjë takim dhe as nëse e ka realizuar ndonjë punë. Ai nuk u është përgjigjur as pyetjeve nëse do të paguhet përtej pagës, për detyrat që i realizon në kuadër të Ekipit.

Qupeva ka arkëtuar të ardhura shtesë prej 800 eurosh në muaj, për mbikëqyrjen e projektit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Për këtë mbikëqyrje, në komulativ, si shtesë ka arkëtuar mbi 30 mijë euro. Baza ligjore për realizimin e këtyre të hyrave është e kontestueshme, meqë pagesat ishin bërë bazuar në një vendim të vitit 2014, legjitimiteti i të cilit, siç ka mësuar KOHA, është duke u hetuar nga dy institucione.