“Sistem i prishur”, ambasada amerikane tërhiqet nga konkursi për kryeprokurorë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar ashpër për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorëve.

Në një reagim të lëshuar nga Ambasada thuhet se procesi i përzgjedhjes është prishur me themel meqenëse u mungon transparenca dhe ka konflikte interesi.

Si pasojë e një situate të tillë, Ambasada e SHBA’së ka njoftuar se nuk do të vazhdojë të monitorojë një proces të tillë.

Reklama e sponzorizuar

“Meqenëse involvimi i mëtejshëm i Ambasadës mund të keqintepretohet si miratimi i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të selektohen në bazë të kualifikimit, dhe jo në bazë të përkatësisë dhe lidhjeve me politikën”, thuhet në reagim.

“Ndryshimet të kornizës ligjore në të cilën bazohet Këshilli Prokurorial  janë të nevojshme për të vendosur transparencë dhe drejtësi në këtë sistem. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Rishikimin Funksional”, përfundon reagimi./Express/