BB: Në Kosovë pritet te ketë rritje të papunësisë e varfërisë

Përveç rënies ekonomike, Banka Botërore në raportin për Kosovën thotë se ajo pritet të shoqërohet edhe me rritjen e papunësisë dhe të varfërisë.

Për papunësinë, në raportin e kësaj banke nuk është dhënë ndonjë shifër, ndërkohë varfëria thuhet se do të rritet për 5 pikë.

Aty theksohet se nga 17.9 për qind e popullsisë që është vlerësuar se ka jetuar në varfëri në vitin 2017, tash mund të rritet në 23.4 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Llogaritur në numër i bie që mbi 70 mijë persona do të kalojnë në varfëri.

Drejtoi i Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale, Vebi Mujku, ka thënë se rritja e varfërisë e paraparë nga Banka Botërore do të mund të jetë edhe më e madhe.

“Në Kosovë tani janë rreth 25 mijë familje që përfitojnë asistencë sociale, por presim që ky numër të rritet, me vetë faktin që shumë biznese janë mbyllur, kanë falimentuar, apo nuk janë në gjendje ta mbajnë numrin e punëtorëve”, ka thënë Mujku.

Rënia ekonomike sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, do të ndikojë në humbjen edhe të 30 mijë vendeve të punës deri në fund të këtij viti.

“1 miliard euro dëmi i deritashëm në ekonomi, që nga shfaqja e pandemisë. Deri në fund të vitit, me këtë trend të tkurrjes ekonomike, mund t’i humbim mbi 30.000 vende të punës”, ka thënë Rukiqi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndikimi i pandemisë COVID-19 në të dhënat e tregut të punës pritet të jetë i theksuar në tremujorin e dytë të këtij viti, por statistikat për këtë periudhë nuk janë publikuar ende.